Lajme Shqip Friday, 11 January 2013 17:04

Athine – Mediat greke akuzojnë disa deputetë të parlamentit shqiptar se kanë fshehur kombësinë e tyre të vërtetë në biografitë zyrtare.

“Nuk janë vetëm ministrat grekë të qeverisë, Spiro Ksera e Vangjel Tavo, të cilët nuk e deklarojnë origjinën etnike të tyre në biografitë zyrtare, por edhe vetë kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule”. Vëzhgimi është bërë nga disa media greke, që e cilësojnë këtë diçka “të pabesueshme”. Sipas tyre, “asnjë nga 5 deputetët grekë të parlamentit shqiptar, nuk e përmend përkatësinë etnike në faqen zyrtare të parlamentit shqiptar (parlament.al)”. 

Sipas medias, “në qoftë se për Kosta Barka, Spiro Ksera, Vangjel Tavo e Luiza Xhuvani mund të bëhen disa supozime, lindin pyetje serioze në lidhje me qëndrimin e kreut të PBDNJ, Vangjel Dule”. 

“Deklaratat e tipit ‘nuk kemi plotësuar gjithë elementet e programit’ ose ‘të dhënat tona janë korruptuar nga shqiptarët’, nuk bindin askënd”, thuhet në shkrim, ndaj 5 deputetëve të mësipërm duke filluar nga z.Dule, iu bëhet thirrje “të drejtohen menjëherë në departamentin përkatës të Parlamentit shqiptar, duke shtuar në mënyrë eksplicite dhe të qartë etninë greke në CV e tyre. Ne do ta monitorojmë këtë çështje dhe do t’i kthehemi sërish asaj”, përfundon vëzhgimi. 

Ndërkaq vlen të përmendet se asnjë nga deputetët e Parlamentit shqiptar nuk e ka të vendosur kombësinë në CV-të e publikuara në webfaqen zyrtare.

Në linkun e mëposhtëm mund të lexoni përgjigjen e dërguar nga deputeti Vangjel Dule.(LajmeShqip.com)