Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 18:44

Tiranë-Autoritetet belge kanë falenderuar autoritetet shqiptare për parandalimin dhe goditjen e dukurisë së azilkërkuesve.

Ministria e Brendshme, nëpërmjet një deklarate për mediat, bëri të ditur sot se Zyra e Bashkëpunimit Policor e Ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, me anë të së cilës falenderohen autoritetet shqiptare për përpjekjet e bëra për parandalimin dhe goditjen e dukurisë së azilkërkuesve.

‘Falenderoj në veçanti autoritetet shqiptare për kundërveprimin në një situatë krize me azilkërkuesit. Situata të tilla ndodhin dhe mund të ndodhin kudo, por e rëndësishme është identifikimi i burimeve dhe veprimi konkret”, thuhet në letrën drejtuar ministrit Nishanit.

Në letrën e nënshkruar nga këshilltari i ambasadës belge për çështjet e brendshme, Nys Andre, thuhet se pas vizitave të zhvilluara në qershor dhe tetor të përfaqësuesve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme për të Huajt të Mbretërisë së Belgjikës dhe reagimit të autoriteteve shqiptare, efikasiteti ka prevaluar.

Bashkëngjitur me letrën, Zyra e Bashkëpunimit Policor të Ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri ka dërguar edhe një pasqyrim grafik të azilkërkuesve nga Shqipëria, ku siç thuhet në letër, “konstatohet qartë një rënie e pastër”.

Në letër shprehet bindja për vijueshmërinë e përpjekjeve dhe bashkëpunimit të ngushtë për këtë çështje shumë të ndjeshme.