Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 09:10

Tiranë – Kryetari i  ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi mbrëmë se “zëri i çdo qytetari u dëgjua në procesin zgjedhor dhe zëri i çdo qytetari do të dëgjohet edhe në Bashki”. Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Basha përshëndeti nga selia e PD-së, të gjithë qytetarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, duke u shprehur se   “Sot bashkohemi të gjithë për të ardhmen e Tiranës.Gëzimi i ligjshëm që na ka pushtuar të gjithëve në këto çaste, është një gëzim i hapur dhe i merituar.”.

Duke e cilësuar një gëzim të ligjshëm, kryebashkiaku i Ardhshëm i Tiranës, deklaroi se “kemi korrur një fitore të ligjshme dhe të ndershme, një fitore që është shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve të Tiranës, që besuan në shumicë, në programin dhe projektin tonë për një Tiranë europiane e mbi të gjitha në seriozitetin tonë, për ta vënë në jetë këtë sipërmarrje të madhe që Tirana jonë e dashur ka kohë që e meriton dhe ka kohë që e pret”.

Ai u shpreh se gëzimi ka qenë një bashkëudhëtar i pandarë i fushatës dhe punës sonë.
“Një gëzim i brendshëm se i kishim hyrë një beteje të sinqertë për të mirën e qytetit. Një gëzim që ndjejnë natyrshëm bijtë dhe bijat e qytetit kur bashkohen dhe i përgjigjen thirrjes që qyteti ynë, Tirana jonë na bëri ne, për ta nxjerrë nga udhëkryqi hallemadh, ku një lloj politike konfliktuale e kishte braktisur”, nënvizoi Basha.

Më tej ai, vuri në dukje se gjatë kësaj fushate, dëgjoi me pasion zërin, shqetësimet dhe dëshirat e qytetarëve për qytetin tonë, duke nënvizuar se “dhe si Kryebashkiaku juaj i ardhshëm do ta filloj me pasion punën dhe do të vazhdoj t’ju dëgjoj”.

Sipas tij, qytetarët kanë pasur pushtet si asnjëherë më parë gjatë kësaj fushate dhe do vazhdojnë ta kenë atë edhe në Bashkinë e Tiranës.

“Por kësaj rrugë që sot kurorëzohet me fitore nuk i hymë vetëm, por me shumë miq e shokë, me shumë aleatë dhe qytetarë të interesuar e të angazhuar në mendjen dhe zemrën e tyre, për të sotmen dhe të nesërmen e Tiranës”, nënvizoi Lulzim Basha.

Gjithashtu ai theksoi se “në këtë gëzim të brendshëm që na komunikon kryeqyteti ynë, ne ia mbërritëm të krijojmë një sinergji, një rezonancë të së mirës dhe tiranasit na besuan Ndryshimin! Ndryshimin e vërtetë europian që ky qytet krenar, ka sot më shumë nevojë se kurrë”.

Basha u shpreh se Tirana, kërkon angazhimin e një sipërmarrjeje zemrash, mendjesh të përkushtuara, vullnetesh të hekurta dhe ka nevojë për vizion të sprovuar.
Duke falenderuar qytetarët e Tiranës që gjetën kohë për të ndarë me të problemet e tyre por dhe shpresën, besimin dhe projektet për zgjidhjen e këtyre problemeve, Basha  falenderoj edhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin Sali Berisha për mbështjetjen e tij, të gjithë PD-në, anëtarët e Parlamentit, drejtuesit e Partisë dhe të gjithë anëtarët e saj.

Ai nuk la pa falenderuar  partnerët e koalicionit për mbështjetjen e tyre duk u shprehur se “në këtë përpjekje të përbashkët nuk mund të gjeja miq më të mirë”.
“Dua gjithashtu të falenderoj të gjithë komisionerët, numëruesit, vëzhguesit e PD-së, të Aleancës për Qytetarin, por edhe të gjitha partive të tjera si dhe të gjithë ata që me kontributin e tyre  ndihmuan për ta bërë këtë proces zgjedhor të ndershëm, të lirë, të saktë, transparent dhe të tillë me të cilin mund të krenohet Tirana”, tha Basha.
Duke falenderuar drejtësinë shqiptare, që u dha shqiptarëve dhe tiranasve një drejtësi të drejtë, Basha deklaroi se “do të angazhohem me mish e me shpirt për t’i mbajtur premtimet e mia dhe do të bëj gjithçka mundem për ta bërë qytetin tonë më të mirë, jo vetëm për mbështetësit e mi, por për të gjithë bashkëqytetarët e mi. Ndryshimi nuk do të vijë brenda natës, por ai po vjen”.

Ai nënvizoi se “pavarësisht nëse keni votuar për mua apo jo, tani është koha të bashkohemi. Unë ftoj sot të gjithë qytetarët e Tiranës, të bashkohemi për të punuar për të ardhmen e qytetit tonë. Të gjithë na bashkon interesi për të ardhmen tonë”.
Kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës ftoi qytetarët që të bashkohen me të për të ndërtuar një qytet më të mirë dhe për t’i kthyer shpresat dhe dëshirat  në realitet.
“Tani puna fillon. “Ju jeni të parët. Tirana është e para” nuk është më vetëm një sllogan dhe e ardhmja e qytetit tonë ka nisur marshin e saj”, përfundoi Lulzim Basha.