Prishtinë – Me ftesë të kryetarit të Parlamentit Evropian dhe të kryetarit të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u nis sot për vizitë në Bruksel.
Burime zyrtare të Kuvendit bënë të ditur se kreu i legjislativit kosovar më 13 dhe 14 prill do të marrë pjesë në takimin e përbashkët parlamentar të organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, me temë “Ballkani Perëndimor-drejt një Evrope më të integruar”, i cili do të mbahet në Bruksel.
Gjatë kësaj vizite Krasniqi do të ketë një takim të veçantë me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, si dhe me përfaqësues tjerë të Parlamentit belg. Po kështu, pritet që të realizohen edhe takime të veçanta me drejtues të lartë të Parlamentit Evropian.