Lajme Shqip Sunday, 17 November 2013 16:09

Prishtine- Është caktuar seanca fillestare për Grupin e Drenicës. Ajo do të mbahet më 6 dhjetor në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Në të, të akuzuarve u lexohet aktakuza e pastaj kryetari i trupit gjykues do të vendos për gjykim kryesor ose jo. “Nëse deri më 23 nëntor nuk ndërpritet paraburgimi ndaj Sylejman Selimit dhe 6 bashkëluftëtarëve të tij, mbrojtja do të kërkojë nga kryetari i trupit gjykues ta ndërpresë këtë masë dhe Selimi të mbrohet në liri”, i ka thënë KTV-së Tomë Gashi, avokat i Selimit. Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi , komandanti për zonën e Drenices Sami Lushtaku, kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, deputeti Fadil Demaku dhe 11 të tjerë akuzohen nga EULEX për krime lufte. Kyetari i trupit gjykues është caktuar Dariusz Sielicki. Akuza më e rëndë është për Sami Lushtakun e Sabit Gecin, që të dy të akuzuar për vrasje.

 “Sami Lushtaku ka vrarë të burgosurin shqiptar duke e qëlluar atë me pistoletë TT në kokë”, thuhet në aktakuzën që e ka KTV-ja. Për shkaqe sigurie, seancat mbahen në Prishtinë, megjithëse rasti është nën autoritetin e Gjykatës në Mitrovicë.