Lajme Shqip Friday, 14 August 2015 12:40

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë me dije se takimi i ardhshëm në mes të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 25 gusht.

“Është paralajmëruar që takimi në nivelin teknik do të jetë më 24 gusht, ndërkaq në nivel kryeministrash do të jetë më 25 gusht. Pastaj më 27 gusht e kemi takimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me projektet për të cilat kemi punuar deri më tani e që i përkasin rrjetit bazik të këtyre vendeve, përkatësisht lidhjes së kryeqyteteve dhe objekteve kryesore ekonomike dhe infrastrukturore”, është shprehur Mustafa.

Ai ka deklaruar se marrëveshjet e reja në dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë do të nënshkruhen në pako.

“Tash mendojmë se të gjitha këto çështje t’i përgatisim dhe t’i arrijmë si pako. Flitet vetëm për parimet themelore, e jo për statutin dhe për detajimin e asaj se si do të duket asociacioni. Do të thotë, parimet themelore për asociacionin, kodin telefonik që është kryer, në qoftë se në ndërkohë nuk është penduar dikush, pastaj do ta kemi çështjen e energjisë dhe çështjen e urës mbi Ibër”, ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se delegacioni i Kosovës i ka dhënë qëndrimet rreth këtyre çështjeve.

“Ne ia kemi dhënë qëndrimet tona edhe zyrës së zonjës Mogherini, se ne dëshirojmë që vetëm si pako ta arrijmë këtë. Do të nënshkruhet veç e veç secila nga marrëveshjet, por jo që njëra prej marrëveshjeve të mbetet më vonë, sepse pastaj dyshohet që, nëse mbetet diçka më vonë, ajo do të stërzgjatet dhe është vështirë të arrihet”, ka thënë kryeministri Mustafa.