Lajme Shqip Saturday, 20 July 2013 16:00

Tiranë – Anëtarësia e PD-së do të votojë të hënën, më 22 korrik për të zgjedhur kreun e ri të PD-së, në një garë mes kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, dhe ministrit aktual të Transportit, Sokol Olldashi.

“Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë bëhen më datë 22 korrik, ditën e hënë, nga ora 08.00 deri në orën 19.00. Vendvotimet janë përcaktuar dhe anëtarësia informohet pranë çdo dege të Partisë Demokratike në rrethe, apo çdo grup-seksioni në Tiranë. Këshilli Kombëtar dhe deputetët me banim në Tiranë votojnë në qendrën e votimit, në selinë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimi e shpërndarë për media të PD-së.

Dy kandidatët për të qenë pasues i Sali Berishës, figurës qendrore të PD-së që nga themelimi i saj, Basha dhe Olldashi kanë zhvilluar takime thuajse në të gjithë vendin me anëtarët e partisë së tyre. Të dy hynë në garë pa pasur barrën e analizës së humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërkohë që fushata e tyre është përqendruar edhe në akuza ndaj PS.