Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 14:22

Prishtinë – Më 10 tetor Komisioni Evropian pritet të publikojë Raportin e Studimit të Fizibilitetit, i cili rrjedhimisht brenda një periudhe kohore do të mund të çojë Kosovën te marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Lajmin e ka konfirmuar përmes postës elektronike, për Radio Kosovën, Maja Kocijanqiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton.

“Studimi i Fizibilitetit do të publikohet më 10 Tetor dhe vendimi për hapat e mëtutjeshëm do të merret vetëm atëherë nga Komisioni, dhe me pas nga Këshilli Evropian”, është shprehur Kocijanqiq.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës presin rezultate pozitive në Raportin e Studimit të Fizibilitetit për Kosovën. Besfort Rrecaj, këshilltar i lartë politik në Ministrinë e integrimeve evropiane, pati thënë se përmbajtja e Studimit të Fizibilitetit për Kosovën pritet të jetë pozitive.

”Ne presim qe Studimi i Fizibilitetit të shënojë rezultatet pozitive të cilat i ka arritur Kosova në vazhdimësi dhe në veçanti gjatë vitit të fundit. Ky studim shënon një hap te madh përpara për Kosovën ne rrugën e saj drejt hyrjes ne marrëdhëniet kontraktuale me BE-në. Së shpejti ne do te kemi shumë më të qartë të ardhmen e raporteve tona me BE-në dhe një orientim më të mirë për fillimin e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asoccim”, tha Rrecaj.

Ndryshe, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një traktat në mes të BE-së dhe një vendi tjetri që krijon një kornizë për bashkëpunim në mes tyre. Kosova është vendi i vetëm i rajonit që nuk e ka nënshkruar ende këtë marrëveshje. Zyrtarë të qeverisë thonë se kanë kapacitete të mjaftueshme për të përballuar negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me BE-në, parakusht ky para se ajo të kërkojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.(LajmeShqip.com)