Lajme Shqip Thursday, 04 July 2013 10:15

Tiranë – Partia Demokratike (PD), mbyll sot afatin e dorëzimit të kandidaturave për postin e kryetarit, pas dorëheqjes të Sali Berishës. Gjatë kësaj jave vetëm dy politikanë të rëndësishëm të PD-së kanë dorëzuar kërkesat për kandidim. I pari u paraqit ministri aktual i punëve publike, Sokol Olldashi dhe më pas kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.Olldashi dhe Basha u paraqitën njëlloj në zyrat qendrore të partisë së tyre, dorëzuan projektet e tyre dhe kërkesën për kandidim, dhe mbajtën nga një deklaratë për shtyp, ku theksuan njëlloj nevojën për një fillim të ri në PD, që ajo të kthehet me dinjitet në pushtet, krenare për qeverisjen e deritanishme dhe ndihmesën e shquar që ka dhënë kryetari i saj Sali Berisha.

Deputetët Olldashi dhe Basha shënuan karriera të shpejta partiake e shtetërore në dy mandatet qeverisëse të PD, duke spikatur si dy prej figurave më besnike të kryeministrit Berisha dhe më të mbështeturat prej tij.

Olldashi ishte ministër i brendshëm, kandidoi për kryebashkiak i Tiranës përballë kryetarit të opozitës Edi Rama, që e mbante atë post dhe aktualisht është ministër i punëve publike e transporteve. Ndërsa Basha ishte ministër i punëve publike, ministër i jashtëm, ministër i brendshëm dhe në fund la sallën e parlamentit dhe u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës me një diferencë të ngushtë votash përballë zotit Rama, i cili kërkoi mandatin e tretë për kryebashkiak.

Ndërkohë mësohet se sot në orën 13:00 mblidhet kryesia e PD-së e cila do të shqyrtojë kandidaturat si dhe do të përcaktojë datën dhe procedurat e votimit të kreut të ri.

Kryetari i ri i PD-së do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë, proces që shndërrohet për herë të parë si një sfidë për të shfaqur demokracinë e brendshme të kësaj partie.