Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 18:12

Prishtinë – Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Lan Cliff, në një takim sot me zv/kryeministren Edita Tahiri, tha se Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën dhe të qëndrojë përkrah saj në rrugën drejt sukseseve të reja.

Mbështesim integrimin e Kosovës në BE dhe NATO e po ashtu anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, tha ambasadori Cliff, duke shtuar se dialogu teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm ngaqë adresohen problemet praktike, të cilat do t’i ndihmojnë Kosovës që të përafrohet më shumë me BE-në.

Zyra e shtypit e qeverisë kosovare bën të ditur se në takim u bisedua për tema me rëndësi të veçantë për dy vendet, siç janë forcimi i raporteve midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, për përparimet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për tejkalimin e sfidave në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe për dialogun teknik të filluar kohë me parë midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.