Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 12:58

Tiranë – Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga vetëm pak pas ngjarjes, autorët e dy vrasjeve të ndodhura mbrëmjen e së premtes në Tiranë, ku mbetën të vrarë dy shtetas, ndërsa u plagosën dy të tjerë.

Përmes një deklarate për mediat, Policia e Tiranës bëri të ditur të shtunën se shërbimet e Hetimit të Krimit në kryeqytet bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 34-vjeçarit Artan Këllezi, në ambientet e një lokali Lloto-bet pranë Xhamllikut. Policia tha se pas një grindjeje për shkak të një borxhi të pashlyer, 34-vjeçari Këllezi është goditur disa herë me armë të ftohtë kaçavidë, nga një 35-vjeçar, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Policia shoqëroi disa prej dëshmitarëve në vendngjarje dhe vetëm pak kohë pas vrasjes mundi të identifikojë dhe arrestoi 35-vjeçarin Stilian Korabi, i dyshuar si autori i vrasjes.

Nga të njëjtat burime mësohet se në pranga është vënë mbrëmjen e së premtes edhe autori i ngjarjes së ndodhur në Allias,  kur për shkak të një martese të paaprovuar midis autorit dhe shtetasve Anife dhe Fatmir Elmazi, e Ervin Ademi, pjestarë të një familjeje, këta të fundit u qëlluan me armë zjarri automatike nga 33-vjeçari Ylli Sherifi.

Burimet bëjnë të ditur se për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në Spitalin e Tiranës 49 vjeçarja Anife Elmazi, ndërsa në gjendje kritike për jetën ndodhet edhe 44 vjeçari Fatmir  Elmazi, ndërkohë që i plagosuri tjetër ndodhet jashtë rrezikut për jetën.