Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 16:29

Gjirokastër – Mbi 50 mijë qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit kanë kaluar për në Greqi me pasaporta biometrike nëpërmjet pikës doganore të Kakavijes që nga muaji janar e në vazhdim.

“Numri i qytetarëve që kanë shkuar pa viza në hapësirat e vendeve të përfshirë në marrëveshjen Shengen ka ardhur duke u rritur nga muaji në muaj”, tha Gentian Mullai, zëdhënës i policisë në Gjirokastër.

Vetëm në muajin mars, tha Mullai,  kanë kaluar nëpërmjet Kakavijës për në vende të ndryshme të Evropës më shumë se 20 mijë qytetarë. Sipas tij, lëvizja në kufirin me Greqinë po bëhet gjithnjë e më e lehtë, janë reduktuar procedurat, ndryshe nga ditët e para kur policia greke krijonte vështirësi.

Policia kufitare bën të ditur se që nga janari policia greke nuk ka lejuar të hyjnë në territorin e saj vetëm 200 shtetas shqiptarë me pasaporta biometrike, të cilët nuk kanë deklaruar vendin ku do të shkonin.