Lajme Shqip Thursday, 09 August 2012 16:25

Prishtinë – 43 mijë e 637 serbë të Kosovës, sot posedojnë dokumente personale të lëshuara nga Republika e Kosovës. 

Këto të dhëna janë marrë nga të gjitha qendrat e Kosovës e që janë konfirmuar edhe nga zyra për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas zyrtarëve për informim në MPB, deri në muajin e kaluar 43 mijë e 637 serbë të Republikës së Kosovës kanë aplikuar për tu pajisur me Letërnjoftim, ndërsa janë 2 mijë e 124 serbë të cilët kanë parashtruar kërkesën për tu pajisur me Pasaporta të RKS-së.

“Duhet të theksojmë që gati çdo vit është duke u shtuar interesimi nga qytetarët e nacionalitetit serb për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës dhe nga viti në vit vërehet një shtim i kërkesave për t’u pajisur me dokumente”, thonë për Indeksonline zyrtarë të MPB-së.

Ndërsa numri i përgjithshëm i aplikimeve për Letërnjoftime dhe për pasaporta të Republikës së Kosovës për pjesën veriore, respektivisht në zyrën që gjendet te “Lagjja e Boshnjakëve’’në Mitrovicë, deri më tani për letërnjoftime janë gjithsejtë 3 mijë e 455 kërkesa, ndërsa për pasaporta gjithsejtë 86 sosh. (LajmeShqip.com)