Lajme Shqip Saturday, 06 July 2013 13:31

Tiranë – Ndërsa KQZ nuk ka shpallur ende rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për të gjitha qarqet, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh shqetësim për certifikimin e rezultatit zgjedhor dhe ndarjen e mandateve të deputetëve. Në kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon të funksionojë vetëm me katër anëtarë, KVV nënvizon se ligji ia dedikon vetëm KQZ-së certifikimin e rezultatit, për të cilin duhet miratimi i të paktën 5 anëtarëve të këtij komisioni.

Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e KVV-së e cilësuan si problem që mund të deligjitimojë procesin zgjedhor, mospasjen e numrave të duhur të anëtarëve në Komisonin Qendror Zgjedhor për certifikimin e rezultatit.

“Kodi Zgjedhor, ngarkon specifikisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të kryejë certifikimin e rezultatit dhe Kolegji Zgjedhor është organ dytësor dhe i përkohshëm, dhe si i tillë nuk mund të realizojë shpërndarjen e mandateve”, – u tha në konferencën për shtyp të KVV-së.

Ndërkohë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e cilëson pozitiv ecurinë e procesit zgjedhor të 23 qershorit. KVV nënvizon se problemet gjatë zgjedhjeve kanë qenë të vogla, duke e vënë theksin tek votimi familjar, i cili shtrihet në një pjesë të mirë të vendit, transmeton bw. 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shprehu shqetësim lidhur me ankesat e depozituara në KQZ, pasi sipas tyre, asnjë prej problemeve të evidentuara në ditën e votimit nuk është ankimuar nga partitë politike.