Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 11:20

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, pritet të mbërrijë të mërkurën në Tiranë.

Lajmi bëhet i ditur nga “Zëri i Amerikës”, i cili thekson se vizita ka për qëllim një përpjekje të re për t’i dhënë një shtysë të fundit bisedimeve që po zhvillohen mes shumicës së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha dhe opozitës së udhëhequr nga Edi Rama, për realizimin e disa reformave të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli.

Përfaqësuesi i lartë i KE-së do të qëndrojë në Tiranë deri ditën e nesërme dhe do të ketë takime me të dyja palët.

Shumica dhe opozita kanë rënë dakort në parim për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, i pari që lidhet me reformën zgjedhore dhe i dyti që ka të bëjë me një kërkesë të opozitës për ndryshime në rregulloren e parlamentit, ndonëse kjo nuk është bërë ende publike, përsa kohë mbetet ende pezull çështja që ka të bëjë me ligjet të cilat kërkojnë një votim me 3/5 në parlament, pra dhe mbështetjen e opozitës.