Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 11:06

TIRANË– Mbërrijnë në Atdhe eshtrat e Mbretit Zog I, i cili prehej në varrezat e Thiais në Paris të Francës.

Eshtrat e mbretit të parë të shqiptarëve mbërritën në Tiranë sot në mëngjes rreth orës 08:10 minuta, në kuadër të rivendosjes së vend të figurës së tij, për 100-vjetorin e Pavarësisë. 

Në aeroportin ‘Nënë Tereza’ kanë qënë të pranishëm sot për të pritur eshtrat e mbretit Zog I, Princ Leka II, pjestarë të tjerë të familjes mbretërore, ministri i Brenshëm Flamur Noka, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ai i Kulturës Aldo Bumçi, si dhe dy zv.ministrat Edith Harxhi dhe Ekrem Spahiu.

Më pas, arkivoli me eshtrat e Mbretit, u shoqërua drejt banesës së Familjes Mbretërore, në rrugën “Murat Toptani”, i njohur si pallati i vjetër mbretëror.

Gjatë ditës së nesërme në Pallatin e Brigadave prej orës 10.00-12.00 do të zhvillohen homazhet në nderim të Mbretit Zog. Më pas në orën 12:15 do të bëhet inaugurimi i Mazoleumit të Familjes Mbretërore, dhe në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia e vendosjes së eshtrave të Mbretit Zog në Mazoleumin e kësaj familjeje, e shoqëruar me të shtëna topi

Ahmet Zogu, është zhvarrosur dje nga Parisi, aty ku prehej që pas vdekjes në prill të vitit 1961. Një ekip në nivel të lartë zyrtarësh shqiptarë dhe francezë ka ndjekur nga afër ceremoninë, që i ka hapur udhë kthimit të eshtrave në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Mbreti Ahmet Zogu u lind më 8 Tetor 1898 në Burgajet të Matit. Ai ndërroi jetë në spitalin Foch të Parisit më 8 Prill 1961. (LajmeShqip.com)