Lajme Shqip Thursday, 17 October 2013 10:43

Qeveria shqiptare do të nisë punën për zhvillimin dhe zbatimin e një prej reformave më të rëndësishme, për të cilat është angazhuar, me mbajtjen sot të Konferencës Kombëtare “Reforma administrativo-territoriale në Shqipëri”, një aktivitet i bashkëorganizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. 

Reforma administrativo-territoriale do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, e cila do të rrisë efikasitetin e njësive vendore përmes mirëqeverisjes, rritjes së efiçencës në menaxhimin e burimeve të këtyre njësive, menaxhimin e kapaciteteve, përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, si dhe fuqizimin e qytetarëve dhe komuniteteve. Reforma do të jetë një gur themeli për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2015. 

Në konferencë do të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Florian Rauning dhe ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, si dhe aktorë të tjerë të interesuar në këtë proces.