Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 09:20

Tiranë – Ka vijuar edhe sot me intensitet të lartë puna për lidhjen me akset rrugore kombëtare të qendrave të komunave të bllokuara nga dëbora.

Ministria e Brendshme me anë të një komunikate për shtyp sot pasdite bëri të ditur  se, si rezultat i kësaj pune është mundësuar komunikimi rrugor me akset kombëtare i komunave Kala e Dodës, Ostren, Bushtricë, Surroj dhe Llugaj, duke zvogëluar kësisoj numrin e komunave të bllokuara në 22 të tilla në të gjithë vendin, nga 27 që ishte ditën e djeshme.

Në qarkun e Shkodrës aktualisht janë të bllokuara komunat Shalë, Shosh, Shllak, Pult, komuna Kelmend e Malësisë së Madhe dhe komunat Iballë, Fierzë dhe Blerim të Pukës. Sot po punohet për hapjen e aksit rrugor Qafë Mali-Fierzë që lidh komunat Blerim dhe Fierzë, si dhe për hapjen e segmenteve rrugore Kryezi-Iballë dhe Pukë-Qelëz.

Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara komunat Shishtavec, Kalisë, Arrën, Gryk Çajë, Lekbibaj dhe Bytyç. Po punohet për hapjen e rrugës Bushtricë-Peshkopi. Aksi rrugor Kukës-Shishtavec është hapur deri në fshatin Novosej dhe po punohet për hapjen e plotë të tij.

Në qarkun e Dibrës janë ende të bllokuara komunat Lurë, Zall Reç dhe Selishtë. Po punohet për hapjen e akseve rrugore rurale Zall Dardhë-Zall Reç-Qafë Drajë, Ostren-Steblevë, Sllovë-Kala e Dodës. Vazhdon puna gjithashtu edhe në akset rrugore Selishtë-Muhurr, Arras-Fushë Çidhën dhe Krej Lurë-Fushë Lurë.

Në qarkun e Elbasanit janë të bllokuara komunat Poroçan, Lenie, Kukur dhe Zavalinë. Sot është punuar për hapjen nga bora dhe materialet inerte të rëna nga skarpatet në akset rrugore Gramsh-Kukur, Gramsh-Poroçan dhe Gramsh-Lenie.

Bëhet e ditur gjithashtu se, ditën e sotme janë trajtuar 5 emergjenca shëndetësore në zonat problematike nga reshjet e dëborës. Në tre raste të sëmurët janë transportuar me ambulancë nga komuna Kastriot në spitalin rajonal në Peshkopi.

Një person i sëmurë nga komuna Bicaj është transportuar në spitalin rajonal të Kukësit me helikopterin e Forcave të Armatosura dhe një person i sëmurë nga Mirdita është transportuar në spitalin ushtarak të Tiranës me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë.Njësia e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka kryer 15 misione fluturimi për transport ndihmash në fshatrat Gryk Çajë, Buzmadh dhe Shkinak të Kukësit, Bradozhnicë e Dragobi të Tropojës, Tërnovë të Dibrës, dhe në Theth e Shalë të Malësisë së Madhe.