Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 08:00

Tiranë-Ministria e Brendshme, bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Emergjencave Civile, nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, si dhe nga pika të tjera kontakti, në nivel qendror dhe vendor, bëri të ditur dje pasdite se në të gjithë vendin mbeten ende të bllokuara si pasojë e reshjeve të dëndura të dëborës dhe ngricave 27 komuna, kryesisht në veri dhe verilindje të vendit.

Në Qarkun e Shkodrës akset rrugore kombëtare janë të hapura me përjashtim të segmenteve Qafë Mali- Qafë Shllak dhe Qafë Mali-Fierzë. Sot është punuar për hapjen edhe të këtyre segmenteve si dhe në akset rrugore që bashkojnë qendrat e komunave me akset kombëtare. Konkretisht është punuar nga forcat dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve dhe të Forcave të Armatosura për hapjen e rrugëve që lidhin akset rrugore kombëtare me qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Kelmend, Iballë, Fierzë, Blerim dhe Qelëz.

Në Qarkun e Kukësit është punuar nga forcat dhe mjetet e Forcave të Armatosura dhe Drejtorisë Rajonale të rrugëve për hapjen e segmentit prej 3 km Kukës-Qafë Shllak dhe Domaj-Draj Reç, e po kështu edhe në akset që rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çaje, Kalis, Surroj, Lekbibaj, Llugaj, Bytyç dhe Arrën.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme mësohet se në Qarkun e Dibrës sot është punuar dhe ka përfunduar puna për hapjen e akseve rrugore kombëtare me qendrat e komunave Zall Dardhë, Trebisht, Arras, Luzni. Vijon puna dhe është pranë përfundimit për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Kala e Dodës, Selishtë, Lurë, Zall Reç, Ostren.

Në Qarkun e Korçës tashmë ka përfunduar puna për lidhjen e qendrave të komunave të bllokuara me rrugët kombëtare.

Përsa i takon operacioneve nga ajri për emergjenca shëndetësore dhe ndihma të tjera humanitare, ministria e Brendshme bëri të ditur se gjatë ditës së sotme janë transportuar për në spitalin rajonal të Kukësit një i sëmurë nga fshati Buz i Bushtricës dhe një grua me hemoragji nga Shishtaveci.

Po ashtu, janë transportuar për në spitalin e Bajram Currit dy gra të sëmura, nga fshatrat Zherkë dhe Rodogosh të Komunës Bytyç, si dhe medikamente në fshatin Degë, Komuna Dushaj. Gjithashtu, një i sëmurë nga Komuna Golaj e Hasit është transportuar në spitalin e Kukësit.

Është kryer transport medikamentesh në fshatin Kir, Komuna Pult të Shkodrës dhe është transportuar në spitalin e Pukës një fëmijë i sëmurë, nga fshati Kabash.

Sot janë kryer gjithashtu fluturime për transport ndihmash në Valbonë, Lekbibaj dhe Margegaj të Tropojës, Poroçan dhe Kukur të Gramshit dhe në komunën Arras të Peshkopisë. (LajmeShqip.com)