Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 08:04

Avni Mazreku, njohës i çështjeve evropiane, ka deklaruar në Ora e Fundit të Klan Kosovës se, peticioni i dërguar sot nga shoqëria civile tek ministri për Integrime Europiane, Bekim Çollaku, e ndihmon çështjen e liberalizimit të vizave, por prapëseprapë mbetet vetëm një segment në rrugën e Kosovës drejt liberalizmit.

“Peticioni ndihmon në sensibilizimin e çështjes”, ka deklaruar Mazreku.

“Kemi edhe një pjesë të madhe të rrugës për ta bërë. Qasja e politikanëve karshi këtij procesi ka qenë në kontekst deklarativ e që është dashur të ketë një qasje pragmatike dhe funksionale”.

“Korrupsioni në shkallë të lartë dhe dukuritë e tjera negative janë refleksion i mungesës së vullnetit politik për t’iu qasur një reforme që e kërkon Bashkimi Evropian”, ka thënë Mazreku.

Kurse i pyetur se cila është rruga e duhur e Kosovës për në BE, ai ka thënë se “reforma në administratën publike është rrënjësore që thuhet edhe në raportet e progresit. Një mosreformë e tillë ka shkaktuar edhe një prezencë të lartë të korrupsionit në institucionet shtetërore”.

“Administrata publike është përdorë për stabilizimin e militantëve partiakë. Unë nuk mendoj që Ministria e Integrimit është dikasteri kryesor për integrime. Kriteret e Bashkimit Evropian janë ndërdimensional. Liberalizmi i vizave i ka dy kritere që njihen si kritere teknokratike dhe tjetra kritere politike”, ka shpjeguar Mazreku.