Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 09:21

Tiranë – Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi sot dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Ardian Fullanit si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Kandidatura u votua nga deputetët e shumicës, ndërsa opozita reagoi ashpër dhe nuk mori pjesë në votim, duke kërkuar paraqitjen e z.Fullani në Komision për të shpalosur vizionin e tij lidhur me pozicionin për të cilin është propozuar.

Kryetari i Komisionit e refuzoi kërkesën, me argumentin se rregullorja nuk kërkonte ardhjen e Fullanit, meqënëse ai ishte paraqitur më parë si kandidaturë për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës. Pasi mazhoranca ka dhënë edhe zyrtarisht pëlqimin e vet, rizgjedhja e Ardian Fullanit si Guvernator i Bankës së Shqipërisë pritet të bëhet pa probleme.

Por, në momentin kur në politikën shqiptare ka nisur të fryjë një erë konsensusi, çështja Fullani rikujton mosmarrëveshjet e thella që ekzistojnë mes dy kampeve për administrimin e institucioneve të pavarura. Opozita e ka kundërshtuar prerazi kandidaturën e Fullanit, duke e akuzuar atë për veprime korruptive dhe lidhje klienteliste me shumicën në pushtet.