Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 15:02

Tiranë – Vlerësimi i provimeve të Maturës Shtetërore për këtë vit do të kalojë në kritere më të forta.

Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se aktualisht janë përcaktuar edhe kriteret që do të duhet të përmbushin mësuesit për t’u angazhuar në procesin e korrigjimit të provimeve për të katër lëndët ku do të testohen maturantët apo kandidatët e tjerë që do të garojnë për universitetet.

Për të qenë pjesë e grupit të korrigjimit të testeve, mësuesit duhet të përmbushin gjashtë kushte, ku përfshihen: arsimi universitar përkatës, përvojë pune në mësimdhënie të paktën pesë vjet në lëndën përkatëse, të jetë vlerësuar me rezultate të larta në mësimdhënie, po ashtu të ketë marrë rezultatet maksimale gjatë kualifikimit të vazhduar, të mos ketë konflikte interesi, si dhe të jetë trajnuar nga ekipet e specialistëve veçanërisht për këtë proces.

Arsimtarët që do të përzgjidhen për të vlerësuar testet në të gjashtë qendrat e korrigjimit do të trajtohen edhe me pagesën financiare të përcaktuar sipas kategorisë. Përzgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit.

Sezoni i provimeve të maturës për këtë vit nis më 1 qershor me provimin e parë të detyruar në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Më pas do jetë provimi i dytë i detyruar në lëndën e matematikës, përkatësisht më 15 qershor. Sezoni i provimeve do të kulmojë më 30 qershor me dy testimet për lëndët me zgjedhje. Në këto kushte, provimet e detyruara dhe me zgjedhje të maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin A1.

Çdo maturant mbetës, qoftë dhe në një nga provimet e detyruara apo me zgjedhje, ka të drejtën e riprovimit të lëndës në vitin e ardhshëm shkollor. Ai ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në universitetet publike vetëm pasi të ketë fituar katër provimet. Çdo maturant, që fiton katër provimet, pajiset me diplomën e maturës. Maturanti, që mbetet në një a më shumë provime të maturës, nuk pajiset me diplomën përkatëse. Ai mund t’i japë këto provime në vitin e ardhshëm, kohë në të cilën po ashtu do të mund të konkurrojë edhe për pranimet në shkollat e larta.