Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 12:05

Tiranë – Ministria e Arsimit do të ndërmarrë disa nisma në ndihmë të fëmijëve të komunitetit Rom në Shqipëri.

“Viti shkollor rezervon për fëmijët romë tekste falas. Po mendohet që në disa shkolla të vendit të ofrohet dhe drekë falas pas mësimit”, tha Zv/ ministrja e Arsimit, Nora Malaj e cila ishte sot e pranishme në Konferencën kombëtare mbi metodat e përfshirjes së komunitetit Rom dhe dhe integrimit të mëtejshëm të kësaj popullsie.

Ajo konfirmoi se një tjetër nismë e Ministrisë së Arsimit do të jetë dhe futja e gjuhës e kulturës rome në lëndët ekstra kurrikulare që zhvillohen në klasat e IX dhe të XII të arsimit parauniversitar.

Të dhënat e shoqatave rome që punojnë në ndihmë të këtij komuniteti, tregojnë se shkaku kryesor i braktisjes së shkollës është varfëria, papunësia e familjeve rome.

Një pjesë e madhe e prindërve detyrohen të lypin në rrugë bashkë me fëmijët, edhe pse këta të fundit duhet të ndjekin arsimin e detyruar 9 vjecar sipas ligjit. Ky komunitet vuan problemin e regjistrimit civil të fëmijëve të porsalindur, martesave, divorceve e vdekjeve.

Sipas zv/ministres së Punës, Filloreta Kodra, “pushtetit vendor nuk bashkëpunon me ministrinë për të zbatuar projektet në adresë të këtij komunitetit”.

Mungesa e regjistrimit i ka privuar shumë nga këta individë nga të drejtat e tyre, duke i penguar të përfitojnë nga shërbimet sociale.

Hartimi dhe zbatimi i politikave që garantojnë integrimin e komunitetit rom në të gjitha fushat e jetës së vendit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prioritete të programit politik të Qeverisë shqiptare dhe objektiva për t’u përmbushur nga institucionet përgjegjëse.

Për këto politika ekziston një fond prej 2.7 milionë euro. Krijimi i këtij fondi është pjesë e projektit tre vjeçar “Fuqizimi i Komuniteteve Lokale në Nevojë”, një iniciativë e përbashkët mes Ministrisë së Punës dhe Kombeve të Bashkuara.

Projekti ka për qëllim të asistojë komunitetet rome dhe po zbatohet në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Durrës, rajone me komunitete rome.

Konferenca e sotme me mbështetjen e Amabasadës së Zvicrës, do të krijojë një listë me rekomandime të mëtejshme për qeverinë shqiptare.

Të pranishmit cilësuan se përfshirja dhe integrimi i komunitetit Rom në jetën sociale dhe ekonomike të vendit ka një rëndësi të veçantë sidomos në kontekstin e ditës ndërkombëtare të Romëve si dhe të integrimit Europian të Shqipërisë. Kjo çështjë shihet me përparësi nga qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë.