Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 10:40

Prishtinë-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, pas atentatit kriminal që ndodhi dje në Universitetin e Oikos në Oakland të Kalifornisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

MPJ kosovare njoftoi sot se në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj ka shprehur dhembjen dhe pikëllimin e madh për këtë akt kriminal, i cili, sipas informacioneve të deritashme, ka shkaktuar gjashtë viktima dhe tre të plagosur në mesin e qytetarëve të pafajshëm të SHBA-ve.

Ministri Hoxhaj në telegram ka shprehur solidaritetin e plotë të qytetarëve të Republikës së Kosovës me popullin e SHBA-ve në këto momente të vështira, duke shprehur shpresën që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë botën.

“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po bashkëndjen në çdo moment dhembjen dhe pikëllimin me familjet të cilat kanë humbur të dashurit e tyre, duke iu bashkuar lutjeve me popullin amerikan që të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, thuhet në telegram. (LajmeShqip.com)