Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 18:45

Prishtinë- “Krusha na dëshmon se sa i vlefshëm është vendi ynë, sa e shenjtë është liria jonë dhe se me çfarë sakrifice u arrit ajo”, tha sot presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga në manifestimin përkujtimor të 13-vjetorit të masakrës së kryer nga forcat serbe në këtë fshat të rajonit të Prizrenit.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, që nderon sakrificën dhe të gjithë ata që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e atdheut”, theksoi ajo. Presidentja e Republikës tha se pas lirisë dhe pavarësisë, Kosova e ka të qartë dhe të sigurt rrugën e integrimeve euroatlantike. Sipas saj liria dhe pavarësia ka bazament gjakun dhe sakrificën e këtyre të rënëve.

“Krimet e kryera këtu nuk do të mbeten të pandëshkuara, ngase demokracia perëndimore është ndërtuar mbi këtë bazë.  Krusha na dëshmon se sa i shtrenjtë është vendi ynë dhe sa e çmueshme është liria. Mbi këtë bazament është ndërtuar shtetësia jonë”, ka thënë Jahjaga para të pranishmëve, duke shtuar se “ju siguroj se asnjë krim nuk do të mbetet i pandëshkuar dhe asnjë kriminel nuk do të mbetet pa u kapur nga dora e drejtësisë”. Presidentja e vendit, ka shtuar se vetëm kështu qetësohen shpirtrat tanë dhe vetëm kështu mund të ndërtohen politika paqësore dhe fqinjësore.

“Në këtë rrugë, ne si asnjëherë më parë në histori nuk jemi vetëm, e kemi mbështetjen e Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh ajo në Krushë. Presidentja Jahjaga vizitoi edhe gratë ndërmarrëse të këtij fshati dhe i përgëzoi ato për punën që bëjnë për sigurimin e kushteve të jetesës për familjet e tyre. Në Krushë të Vogël të komunës së Prizrenit janë përkujtuar 114 burra martirë të masakrës së kryer nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe më 26 mars 1999, të cilët kanë bërë edhe spastrim etnik duke i dëbuar me forcë gratë dhe fëmijët drejt Shqipërisë.

Pas masakrës së para 13 viteve, Krusha e Vogël ka mbetur fshat i grave të veja dhe i fëmijëve jetimë. Pranvera e masakrave të shumta të forcave serbe në Kosovë është stinë e dhembjes dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për lirinë e pavarësinë shumë të shtrenjtë.  (LajmeShqip.com)