Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 11:40

Tiranë – Tre ditë pas konstatimit të vjedhjes së një sasie lekësh në Zyrat e Ruajtjes së provave materiale në Gjykatën e Krimeve të Renda, Ministria e Drejtësisë ka marrë masat e para ndëshkimore për çështjen, konfirmuan sot burime nga organet e drejtësisë.

Kështu,  pas inspektimit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për këtë ngjarje,  Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, (KLD) nisjen e procedimit disiplinor për kryetaren e komanduar të kësaj Gjykate,   Etleva Deda.  Ndërkohë, nga  ana e ministrisë është  vendosur dhe shkarkimi nga detyra i një prej kancelarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Masat e ministrisë së Drejtësisë, për dy funksionaret e Gjykatës mësohet se, janë marrë me argumentimin për  mangësi në administrimin e institucionit.

Këto masa vijnë pas kontrollit që inspektoret e ministrisë ushtruan ne Gjykatën e Krimeve të Rënda, për vjedhjen në Zyrën e Ruajtjes se provave materiale në Gjykatë.  Nga kjo Zyrë janë vjedhur një sasi lekësh që i përkisnin një të arrestuari. Prej pak ditësh, çështja është marrë në  hetimin e policisë dhe prokurorisë së rrethit dhe ende nuk dihen autorët e saj.

Në një prononcim për mediat, pas ngjarjes, Kryetarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Etleva Deda deklaroi se, vjedhja ishte kryer nga njerëz të brendshëm, ndërsa e cilësoi këtë veprim si një sabotim të punës së gjykatës.