Lajme Shqip Thursday, 29 November 2012 19:21

TIRANE-Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansa po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë ku është pritur me një ceremoni zyrtare nga kryeministri Berisha. Pas ekzekutimit të himneve të dy shteteve dy kryeministrat kanë zhvilluan një takim tet a tet dhe më pas mes dy delegacioneve.

Më pas të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp për të dhënë më shumë detaje për takimin.

“Sllovenia do ta mbështesë në dhjetor Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Mendoj se për këto masa që ka marrë Shqipëria e meriton këtë rezultat”, u shpreh sot Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha.
“Ne mbështesim fuqishëm Shqipërinë në integrimin e saj në BE, ashtu siç e kemi mbështetur për liberalizimin e vizave në vitin 2010 dhe në anëtarësimin në NATO. Kjo nuk është vetëm në interesin e Shqipërisë, por dhe BE dhe paqes e stabilitetit në rajon”, tha Jansa.

Duke folur mbi takimin e dhjetorit, Jansa u shpreh se “sipas axhendës që kemi do të diskutohet për zgjerimin. Kjo do të thotë se do të hapet mundësia dhe për diskutime nëse do i jepet statusi Shqipërisë. Unë do të ndikoj si mbështetës i Shqipërisë”.

I pyetur rreth marrjes së statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria, Janes u shpreh se është herët të paralajmërojë vendimin e KE për Shqipërinë, ndërsa theksoi pozicionin e Sllovenisë në këtë çështje.
“Është herët të paralajmëroj rezultatin për këtë debat dhe nuk e di qëndrimin që do mbajë parlamenti evropian mbi këtë çështje. Mund të flas për Slloveninë, si përfaqësues i saj. Sllovenia do mbështesë Shqipërinë në dhjetor për të marrë kandidaturën. Mendoj se për këto masa që ka marrë Shqipëria e meriton këtë rezulat”.
Duke folur mbi mundësinë e dhënies së një statusi të kushtëzuar, Jansa u shpreh se “në familjen europiane nuk është vetëm Sllovenia mbështetëse e Shqipërisë për statusin e saj kandidat. Para dhjetë viteve edhe Sllovenia ka qenë në të njëjtën situatë kur filloi negociatat me grupe të ndryshme në BE. Do të doja thjesht që të kishte një masë të barabartë për të gjithë. Për Shqipërinë në hapat e mëtejshme do të hapen dhe kapituj të tjerë që duhen plotësuar, nga ekonomia, kultura, arsimi, shkenca e kështu me radhë. Çdo kapitull hapet, shqyrtohet dhe mbyllet. Është e panevojshme të kushtëzohet një status për një vend që ka ndryshuar ligjet përpara se të hapen negociatat”.

Jansa vlerësoi mjaft reformat e marra nga qeveria shqiptare duke theksuar se “Shqipëria ka treguar një pjekuri të jashtëzakonshme politike. Po ashtu, ka mjaft vlerësime për reformat e realizuara dhe këto janë sinjale mjaft të qarta për aspiratat e vendit”.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale dhe sot kemi biseduar që të ecim përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kemi ende hapësira të pashfrytëzueshme të bashkëpunimit. Shohim hapësira të mira bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe inifrastrukturës. Po ashtu, takimet tona do të përforcojnë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Duhet të veçoj rolin e Shqipërisë në çështjen e paqes në rajon dhe zhvillimin ekonomik. Praktikat e mira që i shfrytëzon Shqipëria bën që dhe vende në rajon të ndjekin hapin e saj”, tha kryeministri slloven, Janez Jansa.

Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi bashkëpunimin në shumë fusha mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Berisha theksoi se “do të bëjmë çdo gjë për të inkurajuar investimet reciproke ndërmjet dy vendeve”.

Duke shprehur mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO, të liberalizimit të vizave, Berisha u shpreh se “kërkova dhe mbështetjen e kryeministrit, por dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrugën drejt integrimit europian, fushë në të cilën Sllovenia ka një eksperiencë të shkëlqyer. Bashkëpunimi rajonal ishte në tjetër eksperiencë që diskutuam”.

Kryeministri i Sllovenisë Jansa ndodhet që prej ditës së djeshme në Tiranë ku mbrëmë ka marrë pjesë edhe pritjen e presidentit Bujar Nishani.(B.W/LajmeShqip.com)