Lajme Shqip Saturday, 25 February 2012 17:10

Prishtinë-Përfaqësuesi special i BE-së/shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, përgëzoi qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e arritur për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, në raundin e fundit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Duke përgëzuar personalisht kryeministrin Hashim Thaçi,  Zhbogar tha se “Bashkimi Evropian beson fuqishëm se kjo marrëveshje është e mirë për Kosovën, për përparimin e saj dhe për të ardhmen e saj evropiane”.

“Përgëzoj udhëheqësit politikë të Kosovës për këtë hap të pjekur që do ta përafrojë edhe më Kosovën me BE-në. Kur një udhëheqës përballet me një çështje të vështirë, më së lehti është që ta kundërshtojë apo thjeshtë ta shtyjë vendimin. “, shprehet Zhbogar.

Më tej në komunikatë thuhet se marrëveshjet e arritura në raundin e fundit të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja do t’i mundësojnë Kosovës që të marrë pjesë dhe të nënshkruajë marrëveshje të reja në emër të vetin si dhe të flas në emër të vet në të gjitha takimet rajonale.

Palët gjithashtu përfunduan edhe protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit që ishte arritur në dhjetor të vitit 2011. BE-ja do të vazhdojë të lehtësojë dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit me synim që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të mirë të qytetarëve të Kosovës si dhe të Serbisë.