Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 14:52

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë valid sigurimin TPL Plus, nuk kanë nevojë të paguajnë sigurim shtesë për të kaluar në territorin e Serbisë, ka sqaruarRrahim Pacolli, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byros Kosovare të Sigurimeve.

Sipas tij, në opinion është krijuar një keqkuptim në lidhje me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për sigurimin e automjeteve të arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që sigurimi TPL Plus, do të mbulojë territoret e Maqedonisë e Serbisë, pa pasur nevojë për pagesa tjera.

“Marrëveshja me Serbinë nuk obligon qytetaret e Kosovës të paguajnë asgjë shtesë, me kusht që të kenë sigurim valid TPL Plus”, ka thënë Pacolli për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq si masë jo reciproke në këtë marrëveshje, sipas tij, mbetet çështja e tabelave të automjeteve, pasi që qytetarët e Kosovës vazhdojnë të detyrohen që për kalimin në territorin e Serbisë targat RKS t’i zëvendësojnë me ato ‘Prova’, të Serbisë.

Sipas tij, nëse Serbia nuk e largon këtë masë deri më 1 shtator, atëherë edhe Kosova do të aplikoj të njëjtin model për automjetet që vijnë nga Serbia në Kosovë.(rel)