Lajme Shqip Tuesday, 14 August 2012 17:26

Tiranë – Në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke thuhet: “Ministri jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, foli sot në telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti. Të dy ministrat diskutuan në lidhje me çështje bilaterale dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe perespektivën europiane të rajonit tonë. Z.Avramopulos e ftoi z.Panariti për të vizituar Athinën në fillim të muajt shtator”.

Mesa duket kjo vizitë e Panaritit do të ketë në fokus disa çështje të mbetura pezull mes dy vendeve. Çështja më e rëndësishme që pritet të shqyrtohet ka të bëjë me ndarjen e ujërave territorialë, çështje e mbetur pezull për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Pavarësisht kësaj Ministria jonë e Jashtme ka deklaruar se grupet e punës midis dy shteteve po punojnë për të rikompozuar marrëveshjen, ndonëse diplomatët grek kanë bërë të qartë faktin se nuk do të pranojnë ndonjë marrëveshje të re.

Tjetër çështje që pritet të diskutohet është ajo e regjistrimit të popullsisë greke që jeton në Shqipëri, pas refuzimit që ky minoritet i bëri censusit zyrtar të zhvilluar në Shqipëri. Kjo ka bërë që disa javë më parë krerët e OMONIA-s të deklaronin se do të nisnin procesin e regjistrimit të popullsisë së tyre  sepse nuk kanë besim në censusin tonë kombëtar të realizuar në fundin e vitit të kaluar.

Gjithashtu pritet që kjo vizitë e Panaritit të vendosë edhe kursin që do të ndjekë pala shqiptare përsa u përket marrëdhënieve me qeverinë e re greke.

Vizita ka gjasa të kryhet në javën e parë të shtatorit, ku pritet të diskutohet dhe për bashkëpunimin rajonal.  (LajmeShq1ip.com)