Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 17:24

Uashington- Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Clinton, përshëndeti sot marrëveshjen e arritur në Bruksel midis Beogradit dhe Prishtinës, duke e konsideruar atë një “hap të rëndësishëm drejt ardhmërisë së tyre të përbashkët evropiane, duke arritur marrëveshjet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja lidhur me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe një protokoll për Menaxhimin e Integruar të Kufirit”.

Duke falënderuar Bashkimin Evropian për lehtësimin e këtyre diskutimeve, që ka ndihmuar këto dy shtete që të realizojnë një të ardhme më të ndritur, Znj. Clinton vlerëson se “ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën.

“Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe e lëvizin Kosovën përpara dhe më afër integrimit të plotë evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin. Kosova tash do të ulet në tavolinë në forumet rajonale si partnere e barabartë, ku do ta përfaqësojë veten dhe do të flasë për veten”-tha ajo.

Ne, po ashtu, thekson Sekretarja amerikane e Shtetit, “shpresojmë se këto marrëveshje do t’i hapin derën kandidaturës së Serbisë për BE. Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është gjë e mirë për Serbinë, mirë për Kosovën, dhe mirë për të ardhmen e tërë rajonit. Ne presim që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të vazhdojë lidhur me çështjet e tjera që ndikojnë në jetën ditore të qytetarëve të të dyja shteteve”.

“Shtetet e Bashkuara kanë një miqësi të fortë dhe të qëndrueshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne kemi përkrahur këtë proces që nga filimi, dhe ne përshëndesim përkushtimin dhe vendimet e vështira që ishin të domosdoshme që të bëhet përparim. Dëshiroj të lëvdoj të dyja qeveritë për fleksibilitetin e tyre dhe punën e vështirë që kanë bërë gjatë këtij dialogu’, thekson Sekretarja Clinton, e cila inkurajon popujt e Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë këto marrëveshje me mirëbesim, dhe që të përkrahin përparimin që është bërë.

“Të dyja shtetet mund jenë të sigurta për një të ardhme paqësore dhe prosperuese si pjesë e një Evrope të tërë, të lirë, dhe në paqë, vetëm përmes dialogut dhe besimit të rritur”, përfundon deklarata e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Clinton. (LajmeShqip.com)