Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 09:36

Tropojë – Komuna e Margegajt në rrethin e Tropojës ka krijuar kohët e fundit një strukturë të veçantë, Policinë Komunale, synimi i së cilës është mbrojtja e florës dhe faunës së luginës së Valbonës, e cila është bërë objekt i vizitave të shumta nga banorë vendas, por edhe të huaj.

“Problemet që po zgjidh kjo strukturë e re e më pak punonjës janë ndihma ndaj vizitorëve, eliminimi i grindjeve, kontrolli i gjuetisë me dinamit e lëndë të tjera shpërthyese të troftës në lumin e Valbonës, apo të gjuetisë masive të kafshëve të egra”, thotë për ATSH-në kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.

Mbrojtja e pasurisë së Parkut Kombëtar të Valbonës, e pasurisë së peshkut të troftës, që është karakteristike e ujrave të Valbonës, e ka bërë të domosdoshme ngritjen e policisë komunale. “Kjo edhe për faktin se janë shtuar ndjeshëm vizitorët ditorë që vijnë thuajse çdo ditë nga zona të ndryshme të Kosovës. Kështu vetëm gjatë ditës së sotme kanë mbërritur rreth 150 persona, që po kalojnë ditën pranë ujrave të lumit të Valbonës”, thotë Biberaj.

Ai thotë se do të forcohet kontrolli për gjuetinë në masivet pyjore të Parkut Kombëtar. “Gjuetia në masivin pyjor jo rrallë kryhet natën nga persona që vijnë nga zona të tjera të vendit, ose nga Kosova”, thotë Biberaj.

“Mbrojtja e pasurisë pyjore dhe e troftës së Valbonës si një nga speciet e veçanta të lumit, janë nga detyrat kryesore të policisë komunale”, shton Biberaj.