Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 09:29

Shkup – Pranimi i iniciativës së PDSH-së për ridefinimin e kufijve të njësive zgjedhore, me gjasë se ka futur sherrin midis partive politike shqiptare.

Kërkesa e partisë së Menduh Thaçit, të cilën në takimin e liderëve e parashtroi Imer Selmani i DR-së, u pranua nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski dhe tani pritet që të  dhe pritet  numër 6 e cila ka tejkaluar numrin e limituar të votuesve.

Por, cili vendbanim duhet të shkëputet nga njësia e gjashtë? Opozita kërkon që Zajazi dhe Osllomeji të barten në njësinë 5, propozim i cili thuhet të jetë i papranueshëm për BDI-në pasi zhvendos pikërisht bazat e saja partiake. Burimet thonë se BDI insiston që komuna e Zhelinës të bartet në zonën 1 apo 3, gjë që vlerësohet të përputhet me matematikat elektorale të partisë në pushtet.

Ndërkohë, një marrëveshje paraprake në mes katër partive më të mëdha ishte arrit në takimin e parafundit të liderëve. Por Demokracia e Re ka parashtruar një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me njësitë zgjedhore.

Kjo iniciativë është përshëndetur edhe nga PDSH-ja, e cila ishte iniciator i ridefinimit të kufijve të njësive zgjedhore, por edhe nga anëtari i Komisionit Shtetëror Zgjedhorë (KSHZ), Bedredin Ibrahimi. “Dallimet në mes numrit të votueseve të cilat i ka për momentin Njësia Zgjedhore numër 6 dhe ato të cilat kanë njësitë tjera zgjedhore është shumë i madh.

Në bazë të analizave që i kemi bërë, zgjidhje më e mirë do të ishte kalimi i komunës së Osllomesë dhe Zajazit nga njësia zgjedhore numër 6 në njësinë zgjedhore numër 5. Por e kapshme do të ishte edhe ideja që në këtë segment të ketë një ridefinim të ri të njësive zgjedhore, por ajo të bëhet në mënyrë zinxhirore”, ka thënë Ibrahimi. Kodi i vjetër zgjedhor ka paraparë që çdo njësi zgjedhore të ketë mesatarisht nga 287 mijë votues, ndërsa toleranca minimale në bazë të nenit 4 paragrafi 3, dallimet lejojnë të jenë deri në plus-minus 5 për qind. Kjo nënkupton se, një njësi zgjedhore në bazë të numrit të përgjithshëm të votuesve, mund të ketë deri në 305 mijë votues.

Por, ky limit në njësinë zgjedhore numër 6, që kap rajonin e Tetovës, është tejkaluar dhe ka arritur në 327 mijë votues, që tregon se në bazë të mesatares prej 287 mijë votues, shqiptarët humbin prej 30 deri në 40 mijë vota, apo nga 3 deri në 5 deputetë. Sipas Ibrahimit, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për këtë problem, nuk mundet që në vend të ketë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike.

“Në të kundërtën, nuk do të kemi zgjedhje të rregullta dhe drejtpërdrejtë do të shkelet dispozita ligjore e Kodit Zgjedhor. Nuk do të ketë parti shqiptare e cila s’do të kontestojë këtë rezultat”, tha Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së.

Ndërsa, eksperti Zahir Bekteshi mendon se vetëm me ndryshim rrënjësor të sistemit zgjedhor Maqedonia mund të ketë zgjedhje korrekte dhe të pranueshme për të gjithë.

“Ky modalitet i zgjedhjeve mendoj se duhet te ndryshojë në tërësi për shkak se këtu duhet të merret parasysh numri i banorëve për një deputet i njësinë zgjedhore numër 3 apo 4, dhe i një deputeti i njësisë zgjedhore numër 6. Këtu mendoj se është esenca dhe dallimi më i madh. Prandaj, për të pasur zgjedhje demokratike dhe të pranueshme të për të gjithë mendoj se duhet ky sistem zgjedhorë të ndryshojë në tërësi”, ka thënë Bekteshi. Ndërkohë, për kalim të komunës së Zhelinës nga njësia Zgjedhore numër 6 në njësinë zgjedhore numër 1, anëtari i KSHZ-së Ibrahimi vlerëson se ligjërisht kjo është e mundshme por edhe në praktikë.

“Ndoshta ato janë spekulime, por ndoshta edhe dëshira të dikujt. Një kalim i tillë komunës së Zhelinës në njësinë 1 në aspektin ligjor është e mundur, por në aspektin praktik nuk është e mundur nga shkaku se Zhelina numëron diku 21 mijë votues dhe me vetë faktin e kalimit të kësaj komune në njësinë 1, atëherë njësia 1 do të ketë mbi plus 5 për qind të votuesve në raport me njësit tjera”, ka thënë Ibrahimi. (Lajmeshqip.com)