Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 07:17

Shkup – Analistët politikë shqiptarë vlerësojnë se nuk ka bazë për formimin e dy blloqeve politike shqiptare, dhe se për një ide të tillë nuk ka vend. Sipas tyre, bashkëpunimi do të jetë i vlefshëm por në praktikë është i parealizueshëm.

Ata theksojnë se duke patur parasysh se partitë shqiptare në Maqedoni, në të kaluarën, por edhe tani, s’kanë parime dhe nuk u përmbahen platformave të veta, e pamundur është të ndodhin koalicione të panatyrshme.

Dalja në skenë e partisë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), e cila do të udhëhiqet nga Rufi Osmani, dhe deklaratat e tij në konventën promovuese, se ky subjekt politik është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike të cilat kanë platformë dhe program të njëjtë, ka ngjallë shpresat se midis partive politike shqiptare mund të ketë dy blloqe politike, të cilat do të shërbejnë si koalicion parazgjedhor.

Edhe pse shumica e partive politike janë shprehur se do të garojnë të vetme në garën zgjedhore, bisedimet jozyrtare në mes partive nuk kanë të ndalur. Zyrtarisht mësohet se BDI-ja e Ali Ahmetit, tanimë ka zyrtarizuar koalicionin me BDK-në e Hysni Shaqirit, ndërsa një gjë të tillë afër është ta bëjë edhe me BDSH-në e Bardhyl Mahmutit.

Jozyrtarisht, mësohet se bisedat për ndonjë koalicion të mundshëm mes DR-së së Imer Selmanit dhe RDK-së së Rufi Osmanit, si duket janë përmbyllur pa sukses.

Idenë për krijimin e dy blloqeve të partive shqiptare i ka aktualizuar edhe deklarata e zv/kryeministrit Abdylaqim Ademi, i cili para disa ditësh ka pohuar se partitë shqiptare duhet të krijojnë dy blloqe me qëllim që të mos humb vlera e votës shqiptare nga ekzistimi i shumë partive shqiptare.

Por, analistët politikë kanë pohuar se ky komunikim do të ishte i frytshëm, por vështirë është të realizohet, duke patur parasysh komunikimin e vështirë midis liderëve të partive politike.

“Sa i përket formimit të dy blloqeve politike shqiptare, mendoj se për një gjë të tillë nuk ka bazë. Shumë më i kapshëm do të ishte formimi i një blloku të fortë, ku do të participonin edhe etnitetet tjera, siç janë: turqit, romët etj., në të cilën mund të ketë vend edhe për dy parti shqiptare, se sa dy blloqe me parti shqiptare.

Partitë realisht dhe konceptualisht janë larg njëra tjetrës”, deklaroi analisti politik Mersel Bilalli. Sipas tij, as partia e sapoformuar e Rufi Osmanit nuk do të sjellë ndonjë risi në skenën politike shqiptare. “Rufi Osmani ka ndërruar disa parti. Por edhe vetë qëndrimi i tij, kur ka pohuar se Maqedonisë i bëhet e pa drejtë rreth çështjes së emrit, tregon se sikur përputhet me programin e VMRO-DPMNE-së”, thotë Bilalli. I të njëjtit mendim është edhe analisti tjetër Ismet Ramadani, i cili pohoi se një bashkëpunim i tillë do të jetë shumë i vlefshëm, por në praktikë është i parealizueshëm. “Do të ishte mirë që në këto zgjedhje partitë politike shqiptare të dalin në dy blloqe, sepse në këtë mënyrë edhe elektorati më lehtë do të orientohej, ndërsa edhe në maksimum do të shfrytëzohej vota e shqiptarëve. Por, kjo është vështirë të realizohet duke njohur marrëdhëniet të cilat i kanë partitë politike mes tyre, respektivisht liderët partiak”, u shpreh analisti Ramadani. Ai potencoi se Rufi Osmani nuk ka treguar sinjale për bashkëpunim me liderët e partive shqiptare.

“Mendoj se deri më tani Osmani nuk ka treguar afinitet për të bashkëpunuar me liderët e partive tjera. Shpresojmë që tani si lider do të arrin ta tejkalon veten dhe këto komunikime ti bën më të shpeshta”, tha Ismet Ramadani.

Kurse analisti Nebi Mërseli mendon se partitë kushtimisht të vogla mund të përfitojnë diçka në kurriz të partive të mëdha, por ato përfitime mund ti ndjejnë vetëm liderët e tyre. “Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, shumë pak është e mundur të realizohet ideja për krijimin e dy blloqeve politike të subjekteve shqiptare, ngase ato ende nuk janë të profilizuara. Duke patur parasysh se partitë shqiptare në Maqedoni, në të kaluarën, por edhe tani, nuk kanë parime dhe nuk u përmbahen platformave të veta, e pamundur është të ndodhin koalicione të panatyrshme”, deklaroi Mërseli. Sipas tij, BDI-ja dhe PDSH-ja mund të joshin partitë e vogla që nuk kanë para për fushatë, por këto parti nuk çojnë “peshë” në votat e përgjithshme të këtyre dy partive më të mëdha.

“Në fakt, nga këto parti të vogla, që janë para shpërbërjes së plotë, të përfitojnë vetëm liderët e tyre, të cilët mund të përbirohen nëpërmjet BDI-së dhe PDSH-së dhe të sigurojnë ndonjë mandat deputeti”, pohoi Mërseli. Ky i fundit po ashtu tha se partia e Rufi Osmanit mund të shkakton dridhje të vogla tektonike.

“RDK-ja e Rufi Osmanit ka gjasa të bëjë dridhje tektonike ndër elektoratin shqiptar. Jo që do të fitojë numër të konsiderueshëm të deputetëve, por do t’ua prishë busullën Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçit, kuptohet nëse Osmani arrin të tejkalojë vetveten dhe të mos e qes veten në rend të parë e pastaj partinë e shqiptarët”, ka thënë Mërseli.

Ai nënvizoi se përshtypjet e para janë që Rufi Osmani këtë subjekt politik e ka krijuar për të rikthyer veten në politikë, e jo për të rilind ndonjë demokraci kombëtare. “Demokraci kombëtare ndër shqiptarët fare nuk ka pasur dhe këtu nuk mund të flitet për ndonjë ‘rilindje’ tjetër, përpos ‘rilindjes’ së Osmanit”, ka theksuar Mërseli. (Lajmeshqip.com)