Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 15:26

Shkup – Interesimi i shqiptarëve të diasporës për t’u pajisur me pasaporta biometrike që është ndër kushtet kryesore për të marrë pjesë në procesin zgjedhor si votues i rregullt, nuk ka qenë i duhur. Këtë mundësi ata e kanë pasur gjatë aksionit që është realizuar në muajin shtator-tetor të vitit të kaluar. Nga kjo del se mund të rrezikohet që gjatë kyçjes së diasporës në procesin zgjedhor, të zgjidhet deputet shqiptar i diasporës.

“Së pari, është pasaporta biometrike me të cilën do të duhet të evidentohet votuesi. Në fund të shtatorit të vitit 2010 përfunduam planin aksional të ekipeve mobile që u formuan në MPJ. Pra, ishin grupe që shëtitën gjitha qendrat ku kemi përfaqësi konsullore dhe diasporë që u bë marrja e të dhënave të tyre për marrje të pasaportës. Por, gjithsesi se pasaportat u shpërndanë për ata që kërkuan dhe këtu dëshiroj të potencoj se diaspora shqiptare nuk ka shprehur aq interesim dhe arsyet nuk i di”, ka thënë sekretari shtetëror pranë MPJ-së, Abdulkadër Memedi, duke shtuar se diaspora ka qenë e informuar në mënyra të ndryshme lidhur me këtë por ja që interesi ka qenë i ulët.

Sipas Memedit, MPJ gjithsesi është e gatshme për të realizuar proces zgjedhor në diasporë. Mes tjerash ai shpjegon edhe vizitën në Uashington, ku edhe ka takuar diasporën shqiptare.

“Në fillim është një risi, po pak sa ka interesim por duke marrë parasysh distancën dhe si shihen gjërat prej në distancë, gjegjësisht si përcillen lajmet apo ndodhitë brenda në vend, dëshiroj të potencoj se nga diaspora apo mërgata, percepcioni për çështje dhe zhvillime është krejtësisht ndryshe nga ajo që ndodh në realitet. Popullata shqiptare ka nevojë për një motivacion real dhe serioz që ata të dalin dhe të votojnë dhe këtu dëshiroj të potencoj edhe aspektin teknik të asaj çështje se jemi në fazën e pajisjes së diasporës tonë me dokumente përkatëse të Maqedonisë të cilat do tu mundësojnë që ata të jenë edhe votues të rregullt”, ka thënë Memedi.

MPJ-ja, sipas Memedit, është duke bërë përgatitjet për të realizuar edhe një aksion për të pajisur diasporën me pasaporta biometrike, ku çdo qytetar që është nëpër diasporë mund të drejtohet në përfaqësi diplomatike të Maqedonisë dhe të bëjë kërkesën për pasaportë. Ambasada pastaj është e obliguar në afat 90 ditësh atij t’i dorëzoj pasaportën nëse i ka të gjitha kushtet e plotësuara të dokumentacionit.

“Nëse brenda kësaj periudhe nuk e kryen obligimin, qytetari ka të drejtë ta padisë apo ndëshkojë përgjegjësinë konsullorë”, ka nënvizuar Memedi.