Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 18:46

Shkup – Dy liderët e dy partive më të mëdha maqedonase Nikolla Gruevski e Branko Cërvenkovski me gjasë janë dakorduar që 5 qershori të jetë data kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Por, në tërë këtë lojë me datën e mbajtjes së zgjedhjeve vlerësohet se nuk është konsultuar aspak faktori politik shqiptar, por ata megjithatë, nuk kanë asgjë kundër që 5 qershori të jetë ditë votimesh.

Rafiz Haliti pohon se BDI-ja është e gatshme për këto zgjedhje. “Me vetë faktin që në vend një kohë të gjatë është krijuar një ambient se mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, BDI ka qenë e gatshme që të hyjë në ato zgjedhje kurdo që të mbahen. Kurse këto taktizime rreth datës më shumë kanë qenë të kontestueshme për opozitën maqedonase. Ne edhe tani po deklarojmë se jemi plotësisht të gatshëm të hymë në zgjedhje dhe të dalim fitues”, ka thënë Haliti.

Luan Tresi nga partia e Menduh Thaçit pohon se sa më shpejtë që të mbahen ato aq më mirë do të jetë për shqiptarët. “Për Partinë Demokratike Shqiptarë, (PDSH), sa më shpejtë që të ndodhin këto zgjedhje aq më mirë do të jetë për shqiptarët. Edhe ne do ta përkrahim shpërbërjen e parlamentit sepse ky Parlament një kohë të gjatë ka dëshmuar se është jofunksional, andaj deputetët e partisë sonë e kanë lëshuar punën e tij”, tha Tresi i PDSH-së. Kurse nga Demokracia e Re e Imer Selmanit pohojnë se këshilli drejtues i partisë do të marrë vendim ditën e shtunë. “Këshilli drejtues i partisë do të grumbullohet të shtunën, ku edhe do të dalin me qëndrim të qartë rreth zgjedhjeve”, ka thënë Arjanit Hoxha zëdhënës i DR-së. Lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, njëherë edhe kryeministër i vendit, si duket vetëm priste mendimin e liderit të opozitës nëse është i gatshëm për zgjedhje me qëllim që t’i caktojë ato. Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, në një prononcim për shtyp se LSDM-ja tërhiqet nga të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj qeverisë dhe shprehet se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare kurdo që t’i shpallë Gruevski.

“LSDM-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, shkojmë në zgjedhje. Nga dita e sotme nuk kemi më asnjë kërkesë, në Parlament nuk kthehemi dhe nuk zhvillojmë më negociata me VMRO-DPMNE dhe partitë e shumicës. Miratoni çfarëdo qoftë liste zgjedhore, miratoni çfarëdo qoftë Kodi Zgjedhor, harxhoni sa të dëshiron para nga buxheti për reklamimin tuaj, vetëm tregojeni ditën e zgjedhjeve dhe ne jemi këtu. Ju, me ligjin tuaj, me listën zgjedhore dhe me mediat tuaja, me 220 milion eurot për blerjen e votave nga njëra anë – ne me popullin në anën tjetër dhe do t’u fitojmë. Të nderuar qytetarë, na pret një luftë e vështirë dhe një vendim i rëndësishëm, vendim nga i cili do të varet ardhmëria e vendit tonë, ardhmëria e të gjithë neve, e çdo qytetari dhe e çdo familjeje”, ka thënë Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së.