Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 16:21

Gjatë promovimit të librit të tij në Shkup, Rama ka folur edhe për arrestimin e katër shqiptarëve më 28 nëntor, pse vizatuan hartën e Shqipërisë. Rama e ka quajtur arrestimin e tyre për këtë arsye, barbari primitive.

“Çdo kush ka të drejtë të vizatojë harta. Mund të vizatojë edhe hartën e botës dhe të shkruaj kjo është republika ime dhe çfarë të bëjnë ta dërgojnë në Hagë dhe ta akuzojnë për krime kundër gjithë botës? Çfarë janë këta barbarë primitiv, kjo është e patolerueshme”, citon Ramën Alsat-m .

Rama gjatë vizitës në Tetovë, takoi kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe pritet të takojë atë të PDSH-së, Menduh Thaci, ndërkohë do të bëjë edhe promovimin e librit të tij të fundit ‘Kurban’ në USHT.

Kryesocialisti Rama e ka cilësuar kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, një pikë referimi për shqiptarët, për integritetin dhe kurajën e treguar. Rama dhe Ahmeti kanë ndarë të njëjtin mendim për bashkëpunim më të thellë mes faktorëve shqiptarë në rajon në të ardhmen.

Ahmeti ka përgëzuar Ramën për arritjen e marrëveshjes mes opozitës dhe maxhorancës porsa i përket reformës zgjedhore.