Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 15:49

Shkup – Ministrat Rexhepi e Jankullovska dakordohen për parandalimin e krimit dhe migrimeve jolegale.

Vija kufitare Maqedoni-Kosovë do të patrullohet nga njësite të përziera të policisë kufitare të të dyja shteteve. Për këtë të premten firmosën marrëveshje dypalëshe ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Jankullovska dhe homologu i saj kosovar, Bajram Rexhepi.

Qëllimi i përbashkët i Ministrive të Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe të Kosovës është që të ngushtohet hapësira për veprimin e kriminelëve dhe të krijohet rajon stabil për të cilin nuk do të jetë vend për kriminelët. Të dy ministrat e brendshëm me këtë rast thanë se e gjithë kjo bëhet me qëllim lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të të dyja shteteve dhe parandalimin e krimit dhe migrimeve jolegale.

“Marrëveshja që firmosëm është një hap më afër drejt thjeshtëzimit të procedurave për menaxhim të përbashkët të kufirit, sa i përket sigurisë më të madhe, por edhe për krijimin e besimit ndërmjet të dyja shërbimeve dhe popujve tanë”, deklaroi Jankullovska.

“Neve kemi marrë përgjegjësi në të dy sektorët në kufijtë mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe sektori i tretë pritet deri në qershor të mirët komplet, policitë kufitare të të dyja anëve do ta menaxhojnë. Ne i përkrahim të gjitha këto idetë edhe për një kontrollim në një pikë në mënyrë që të mundësohet qarkullimi i lirë i qytetarëve”, tha ministri kosovar, Bajram Rexhepi.

Ai, gjithashtu, tha se po bëhen përpjekje për hapje të vendkalimeve të reja kufitare dhe për krijimin e kushteve që qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime.

“Vendkalimin kufitar që për momentin nuk është ndërkombëtar, Stançiq-Bellanocë, edhe ne kemi ngritë në nivelin A dhe shumë shpejt do të priten fonde nga IPA. Besojmë se do të gjejmë solucion që edhe në Glloboçicë vendkalimi kufitar të shfrytëzohet edhe për mallra komerciale dhe të lehtësohet procedura e kalimit. Natyrisht në kohën kur ne i plotësojmë kriteret me dokumentacionet personale biometrike, jemi të gatshëm që të lejohet kalimi vetëm me letërnjoftime, por neve kemi edhe pak punë në këtë drejtim”, u shpreh Rexhepi.

Maqedonia, marrëveshje të ngjashme dypalëshe sa i përket realizimit të patrullave të përziera përgjatë vijave kufitare, ka të firmosur edhe me Bullgarinë, kurse Kosova një marrëveshje të tillë ka me Shqipërinë dhe pritet që së shpejti të firmosë dhe me Malin e Zi.