Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 19:45

Shkup – Policia e Maqedonisë në bashkërendim me Qendrën SEKI-SELEK në Bukuresht, dje konfiskoi sasinë më të madhe që ishte konfiskuar deri tani, sasi të mëdha droge sintetike ekstazi, si dhe ndërpreu kanalin ndërkombëtar të tregtisë ilegale me droga sintetike ekstazi dhe amfetamin.

Nën emrin operativ “Tehno” pas hetimit në rajonin e Shkupit dhe Velesit, policia gjatë bastisjes së automjetit tip “Mercedes” me targa të Shkupit dhe në një banesë në Veles, sekuestroi gjithsej 10.355 copë ekstazi dhe amfetamin me logon “M”-motorola, 300 gram marjuanë dhe rreth 50 gram amfetamin në materie pluhuri. Vlera e drogës së sekuestruar në narkotreg është rreth 80 mijë euro.

Droga, informoi në konferencën e sotme për shtyp ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ka qarkulluar në relacionin Bullgari-Maqedoni në drejtim të Tetovës, organizuar nga një grup kriminelësh ndërkombëtar, ndërsa ka qenë e dedikuar për tregun e Maqedonisë dhe të Kosovës.