Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 16:14

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është para përfundimit të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor me disa parti më të vogla. Siç mëson “Koha e Re” nga burime partiake në BDI, pas shpërndarjes së Parlamentit kjo parti edhe zyrtarisht do të publikojë marrëveshjen me Partinë për Prosperitet Demokratik (PPD) të Sejfedin Harunit, Bashkimin Demokratik Shqiptarë (BDSH) të Bardhyl Mahmutit, Bashkimin Demokratik Kombëtarë (BDK) të Hisni Shaqirit dhe Partinë për Ardhmëri Evropiane (PAE) të Fijat Canovskit.

Jozyrtarisht, partia e Ahmetit është duke zhvilluar bisedime edhe me disa parti më të vogla të turqve, ndërsa një kohë të gjatë kjo parti është në koalicion me Partinë Demokratike të Boshnjakëve (PDB) që kryesohet nga Rafet Muminoviq.

Sipas burimeve të njëjta partia e Canovskit do të merr një vend të garantuar në njësinë e pestë zgjedhore. Madje, mësohet se koalicionet parazgjedhore me partitë më të vogla shqiptare dhe joshqiptare do të shpallen në një afat të shkurtër kohor.

“Bisedohet për koalicionet e mundshme do të qartësohen. Unifikimi i faktorit politik shqiptar është idealja, por për arsye se ne respektojmë vlerat e demokratike parlamentare është mirë që të ketë dy subjekte politike”, thonë në BDI.

Nga Demokracia e Re (DR) pohojnë se ato janë të gatshëm të dalin të vetëm në zgjedhje, por shumë e rëndësishme do të ishte edhe unifikimi i partive politike shqiptare.

“Ne jemi të përgatitur të dalim në zgjedhje të vetëm. Por nëse ka ndonjë ofertë serioze e cila ka për qëllim unifikimin e qëndrimeve të shqiptarëve jemi të gatshëm që ato ti shqyrtojmë dhe konform asaj do të vendosim”, tha Arjanit Hoxha, zëdhënës i DR-së.

Në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) thonë se janë të fokusuar në zgjedhjet dhe se koalicioni i tyre i vetëm dhe më i rëndësishëm do të jetë koalicioni i krijuar me popullin. Ndërkohë kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani i pyetur në një intervistë për radion “Evropa e Lirë”, për bashkëveprimin e bllokut politik shqiptar, ka vlerësuar se kjo përgjigje do të jetë pas zgjedhjeve. “Qëndrimet e deritanishme të partive më të mëdha politike BDI dhe PDSH, por edhe partisë sonë është që të masim forcat në zgjedhje, dhe pastaj varësisht nga rezultatet të shohim se cilët do të jenë koalicionet e mundshme”, ka deklaruar Osmani.

Ndërkaq kreu i PPD-së, Sefedin Haruni, përmes një komunikate për media ka përgënjeshtruar lajmet e publikuara në disa media në gjuhën shqipe se gjoja PPD-ja është në negociata për koalicion parazgjedhor me BDI-në.

“Informojmë opinionin dhe anëtarësinë se kjo parti përveç përkrahjes publike përmes një komunikate të përbashkët që i ka dhënë idesë gjithë shqiptare të Komunitetit shqiptaro-amerikan nga Çikagoja për një unitet të partive politike shqiptare para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk ka zhvilluar negociata për koalicione parazgjedhore me asnjë parti tjetër politike, pra as me BDI-në”, thuhet në komunikatën e PPD-së.

Kryetari i Lëvizjes qytetare “Zgjohu”, Artan Grubi, ka filluar fushatën e tij për siç thuhet bashkimin e partive politike shqiptare. Ai realizoi takimin e tij të parë me kryetarin e BDK-së, Hysni Shaqiri. Në fjalën e tij, Grubi tha që ky takim paraqet fillimin e përpjekjeve të nismës “Koha për Bashkim” për të përqendruar votën shqiptare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit. “Kemi filluar këtë nismë ku do të takohemi me të gjitha partitë politike shqiptare për të parë mundësinë e bashkëpunimit ndër-shqiptar në zgjedhjet e qershorit në mënyrë që vota shqiptare të paraqet çelësin e formimit të qeverisë së re, gjë që do të parandalon diskriminimin institucional që po ju bëhet shqiptarëve”, ka thënë Grubi.

Ndërsa lideri i BDK-së, Shaqiri, falënderoi iniciativën duke theksuar se është i entuziazmuar për këtë nismë.