Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 19:05

Shkup- Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka bërë të ditur se vendimi për ndryshimin e emrave të katër shkollave fillore në këtë komunë është shpallur edhe në Gazetën Zyrtare.

Sipas tij, vendimi është dërguar edhe në Ministrinë e Arsimit prej nga pritet verifikimi i këtij vendimi.

Mexhiti, njofton Alsat-m, përkujton se për këtë vendim janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore dhe se në Komunë, është votuar më Parimin e Badenterit.

“Aktet janë të plotfuqishme. Unë si kryetar komune i kam nënshkruar dhe veçmë janë në gazetën zyrtare dhe janë dorëzuar edhe në Ministri të Arsimit. Nëse nuk gaboj sot vendimet, statutet e reja nga shkollat veç e veç, nga drejtoritë e shkollave… Pra këto janë vendime politike që kanë peshë politike, ku krejt kjo është rrumbullakuar dhe dorëzohet në Ministrinë e Arsimit për t’u verifikuar.  Kompetenca e vetme është që Ministria e Arsimit të verifikojë. Ajo mund të shohë edhe një herë procedurën, procedura është respektuar, procedura ligjore, prej fillimit deri në fund dhe Ministria e Arsimit duhet të respektojë këtë procedurë ligjore, sepse nuk parasheh ligji ndonjë mekanizëm tjetër”, deklaroi Mexhiti.

Kryetari i komunës së Çairit shtoi se edhe në të kaluarën kur BDI ka qenë në koalicion me LSDM-në, ka pasur ndryshime të emrave të dy shkollave fillore të kësaj komune. Sipas tij, ky është vetëm një proces që vazhdon.

“Nuk shoh asnjë problem, nuk shohë arsye përse kjo të bëhet temë e debatit. Ky proces ka ndodhur edhe në të kaluarën, edhe në kohën e LSDM-së, shkollës fillore “Dame Gruev” ia kemi ndërruar emrin, tani mban emrin disa vite me radhë ‘7 Marsi’. Shkolla e re e cila u themelua në Komunën e Çairit po ashtu në periudhën kur ishim në koalicion me LSDM-në mban emrin “Kongresi i Manastirit”. Ky proces vetëm vazhdon edhe në këtë koalicion, sepse ky është synimi ynë, kjo është kërkesë e qytetarëve dhe nuk shohë asnjë arsye përse kjo të problematizohet”, tha Mexhiti.

Vendimi për ndryshimin e emrave u miratua ditë më parë nga Këshilli komunal duke respektuar të gjitha procedurat dhe parimin e Badenterit. Shkolla fillore “Nikolla Vapcarov” do të emërohet “Imri Elezi”, “Jane Sandanski” në  “Jashar Bej Shkupi”, “Cvetan Dimov” në “Hasan Prishtina” dhe shkolla fillore “Rajko Zhinzifov” do të emërohet “Ismail Qemali”.