Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 12:49

Tiranë – Pendesa e shfaqur nga kryesocialisti Edi Rama pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, lidhur me ndryshimet kushtetuese para zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, ndonëse ato u mbështetën dhe u inkurajuan prej tij, ka rikthyer në vëmëndjen e politikës shqiptare çështjen nëse janë apo jo të domosdoshme ndryshimet kushtetuese dhe ku konkretisht.

Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila bashkëqeverisë me të djathtën shqiptare që në vitin 2009, e cilëson qëndrimin e Edi Ramës për ndryshimet kushtetuese jo serioz.

Përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ylli Manjani, tha se “hapja e temës se ndryshimeve kushtetuese nga Edi Rama është jo serioze dhe shmang në fakt, vëmëndjen nga nevoja për reformat reale që i nevojiten Shqipërisë për marrjen e statusit të vëndit kandidat”.

“Ne mendojmë se Shqipwria ka nevojë të ngutshme për reformën zgjedhore dhe reformat e tjera institucionale që lidhen me plotesimin e 12 kritereve që na mundësojnë statusin e vendit kandidat për në BE”, shprehet ai.

Ylli Manjani artikulon me vendosmëri qëndrimin e LSI-së se nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese, ashtu siç ndryshohet statuti i PS-së sa herë humb zgjedhjet kryetari i saj, pasi, sipas tij, “kjo nuk është serioze dhe as në përputhje me atë çfarë ka nevojë Shqipëria”.

“Pyetja që shtrohet sot para politikës është se a do bëhen këto reforma apo jo? Dhe jo a jeni penduar për ndryshimet e fundit kushtetuese?! Kjo që thotë Rama, se meqë është penduar, hajde të ndryshojmë prapë Kushtetutën, nuk është serioze dhe as në perputhje me çfarë ka nevojë Shqipëria”, thekson përfaqësuesi i LSI-së.

Duke shprehur vendosmërinë e LSI-së për stabilitet politik dhe juridik, ashtu sikurse edhe për reforma zgjedhore dhe institucionale, Manjani nënvizon se “Kushtetuta nuk është pengesa e shqiptarëve. Politika e bojkotit po”.

Ai sqaron se Kushtetuta është shumë e re për historinë e një shteti dhe brenda 11 viteve ajo u ndryshua 2 herë, duke krijuar idenë e nje dokumenti pa vlerë, ndërkohë që misioni i saj është siguria dhe garantimi i një shteti jetëgjatë.

“Për fat të keq kafshimi për dy herë me radhë që i ka bërë politika ishte i rëndë. Prandaj kemi nevojë për ta rujtuar këtë dokument dhe jo për ta kafshuar sërish”, deklaron përfaqësuesi ligjor i LSI-së.

Ylli Manjani e cilëson të turpshëm dhe të papranueshëm faktin që “kafshimi i ri propozohet të bëhet për Kushtetutën nga PS vetëm sepse u pendua Edi Rama”.