Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 14:41

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi të martën maxhorancën se po mban peng mandatin e deputetit të PS-së. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama tha se në Kuvend po ndodh një goditje antidemokratike ndaj opozitës, pasi po tentohet të vidhet mandati i deputetit socialist.

“Jemi të shqetësuar për një tjetër goditje antidemokratike ndaj opozitës në Kuvend, ku nën udhëheqjen e spikeres së Kuvendit, po orkestrohet tentativa e një tjetër krimi elektoral për bllokimin në pafundësi, me qëllim final vjedhjen e një mandati deputeti opozitar”, deklaroi kryetari i PS-së.

“Për muaj me radhë ne kemi kërkuar që kjo çështje e qartë si drita e diellit, nga ana kushtetuese dhe ligjore, të zgjidhet përmes arësyes, por askush nuk duhet të mendojë se duke bllokuar rrugën e arësyes do të imponojë një tjetër vjedhje votash ditën për diell, me procedura si ato të 8 majit në Tiranë, këtë herë në sallën e Kuvendit”, tha ai.

Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga mandati i deputetit socialist për të mos krijuar një krizë të re politike. “Apeli im për kryeministrin është të heqë dorë menjëherë nga mandati i deputetit socialist për të mos hapur një andrallë të re dhe shumë të madhe për funksionimin e parlamentit, në një kohë kur të gjithë duhet të bëjmë çmos për të marrë statusin e kandidatit në BE. Sigurisht, ne nuk do presim sa kemi pritur, por ende duhet të shpresojmë se ky problem nuk do kthehet në një krizë të re politike”, theksoi Rama.

Gjithashtu, kryetari i PS-së bëri të ditur se grupi parlamentar socialist ka depozituar në Kuvend p/ligjin e hartuar nga një grup deputetësh për miratimin e fondeve që shteti duhet të japë për ndërtimin e një materniteti dhe një shkolle në Luginën e Preshevës.

“Nevoja është emergjente për jetën e bashkëkombasve tanë atje. Për ne ky është një gjest solidariteti. Kur është fjala për t’i ardhur në ndihmë një komuniteti shqiptarësh jemi të gjithë bashkë të motivuar për të bërë më të mirën në Kuvend, pa asnjë dallim mes maxhorancës dhe opozitës”, tha kreu i PS-së.

Në kuadër të programit të PS-së për zhvillimin rural Rama bëri të ditur se grupi parlamentar socialist do të kërkojë miratimin në Kuvend të dy nismave me rëndësi emergjente për fshatin: propozimin për uljen e TVSH-së për inputet e fshatit dhe uljen e akcizës për naftën.

“Grupi i PS-së i propozon parlamentit TVSH zero për plehrat kimike; TVSH zero për makineritë bujqësore dhe uljen e TVSH me 10% për farërat që përdoren në bujqësi”, tha ai. (LajmeShqip.com)