Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 12:54

Prishtinë – Fadil Maloku ia ka kthyer akuzat Aleancës Kosova e Re. Ai thotë se ajo nuk funksionon si një parti e mirëfilltë dhe ka një kryetar të vetëshpallur. Ai thotë t’i jetë ofruar një post tjetër, nëse do të jepte dorëheqje, para se ta largonin dhe të nisnin procedurat për zëvendësim, transmeton KTV.

Maloku, përveç kundërshtimeve për heqjen e logos nga fletëvotimet, ka thënë se nuk ka pranuar që organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës të bëhet nga OSBE-ja. Sipas tij, e gjitha kishte nisur me shkuarjen e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka në Bruksel, pas marrëveshjes së 19 prillit. Anëtar i KQZ-së, ka thënë se kryetarja Daka ishte kthyer nga atje me një listë të temave që do të prekeshin. Ndër to, edhe logot e fletëvotimeve dhe roli i OSBE-së në zgjedhjet e 3 nëntorit në komunat në veri të Kosovës. Ndërkohë, për shkarkimin e tij thotë se është në pritje të përgjigjes së Zyrës së Presidencës, pasi një gjë e tillë, sipas tij, nuk mund të bëhet dhe se nuk është përfaqësues vetëm i AKR-së, por i koalicionit Kosova e Re. Maloku e thotë këtë duke u bazuar në nenet 61.5 dhe 61.6 të Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë, ku flitet për mandatet e anëtarëve të KQZ-së, e ku shkarkimi nga partia nuk parashihet.

AKR të shtunën bëri të ditur se ka dërguar në presidencë emrin e Arbërie Nagavcit për të zëvendësuar Fadil Malokun.