Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 08:50

TIRANE – Shtohen viktimat dhe hidhërimi në familjen Osmani të Gërdecit. Katër vjet pas vdekjes së vajzës, Resmijes, e cila humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit më 15 mars të vitit 2008, mëngjesin e ditës së djeshme është vetëvrarë edhe Tushe Osmani, duke shtuar edhe më tej hidhërimin në këtë familje.

Mësohet se viktima, mëngjesin e ditës së mërkurë ka pirë një sasi helmi që i ka marrë jetën. Tre vjet më parë, kishte vrarë veten nga dëshpërimi edhe burri i saj, Kujtim Osmani. Por, dhimbja për këtë familje nuk ka të sosur kur mendon se tashmë me vdekjen e Tushes, ka mbetur jetime edhe mbesa e saj e vogël. Tushe Osmani, pas vdekjes së vajzës së saj, 19-vjeçares Resmije Osmani, kujdesej për mbesën e saj, e cila aktualisht është 4 vjeçe. Por, kohët e fundit, të afërmit e Tushe Osmanit, kishin vërejtur tek ajo shqetësimin se nuk e rriste dot mbesën e saj për shkak të vështirësisë ekonomike.

Madje banorë të fshatit Gërdec pohojnë se dy ditë më parë CEZ-i i kishte ndërprerë edhe energjinë elektrike, për shkak të pamundësisë së saj ekonomike për të paguar faturat. Madje, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, avokati i familjes Osmani pas tragjedisë së Gërdecit, Andi Kananaj, rrëfen takimet e tij me Tushen dhe shqetësimin e saj të vazhdueshëm për mbesën e saj, e cila tani ngeli dyfish jetime. Gjatë kësaj interviste, Kananaj rrëfen bisedat që tregojnë se çfarë e ka shtyrë Tushe Osmanin drejt një akti të tillë.

Zoti Kananaj, kur e keni takuar për herë të fundit Tushen dhe çfarë mbani mend nga bisedat me të?
Unë shkoja shpesh tek shtëpia e saj dhe sa herë që shkoja, hapej biseda e mbesës së saj. Tushja kohët e fundit ishte tepër e shqetësuar se nuk e rriste dot mbesën e saj, vetëm katër vjeçe, për shkak të vështirësive ekonomike. Pas vdekjes së vajzës 19-vjeçare të Tushes, gjendja në familjen e saj ishte rënduar së tepërmi. Fillimisht, vetëm për këtë flisnim. Por, pasi kaluan dy vite nga tragjedia e Gërdecit, Tushes iu vetëvra edhe burri nga depresioni, pasi e hoqën nga puna. Pas kësaj periudhe, ekonomia e Tushes vinte gjithmonë në përkeqësim dhe sa herë që e takoja, biseda jonë fokusohej vetëm tek mbesa e saj dhe pamundësia e Tushes për ta rritur.
A keni vënë re ndonjë shenjë më parë tek Tushja që mund të dyshoje se ajo do kryente këtë akt?
Jo, asnjëherë. Madje, kur e kam marrë vesh, jam habitur, sepse Tushja ka qenë njeri i qetë. Por, shqetësimi i saj më i madh ishte mbesa e saj. Madje, banorët thonë që edhe mëngjesin e ditës së djeshme, para se Tushja të bënte këtë akt, ajo është parë me mbesën e saj për dore dhe duke qarë me zë se nuk kishte mundësi ekonomike për ta rritur atë. Ne prisnim që Tushja të merrte kujdestarinë, që të nisnim edhe gjyqin. Madje, kohët e fundit, Tushja më thoshte shpesh “si t’ia them mbesës se çfarë ka ndodhur, si do ta rris”, por asnjëherë nuk ka shfaqur shenja të tilla. Ishte tepër e shqetësuar për fatin e mbesës së saj.(LajmeShqip.com)