Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 13:26

Bjelo Pole – Lirimi nga akuzat të tetë pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj pranë Rozhajës në Mal të Zi, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion.

Verdikti i sjellë nga Gjykata e Lartë e Bjelo Poles , u cilësua si legalizim i krimit dhe i politikës gjenocide, por edhe si një krim kundër njerëzimit, ku aktorët kryesor mbesin të pandëshkuar dhe në liri.
Avokati i viktimave, Velija Muriq në një deklaratë të dhënë për “Zërin e Amerikës”, për lirimin e të akuzuarve, e cilësoi si shqetësues dhe fajësoi gjyqësorin për politizim të skajshëm.
Muriq tha se, “ky fakt sinjalizon që Mali i Zi nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën. Dështimet ligjore dhe pasiviteti i prokurorisë dhe gjykatave vendore kanë bërë që në Mal të Zi të mos ketë asnjë dënim për krime lufte”. 
Velija Muriq , i cili njëherësh është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Malit të Zi, paralajmëroi se për qëndrimin e gjyqësorit në rastin e vrasjes së refugjatëve kosovarë do t’i njoftojë të gjitha institucionet ndërkombëtare, duke apeluar tek ata që të ndikojnë që krimet e luftës në Mal të Zi të trajtohen në mënyrë të drejtë.
Ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Bjelo Poles reagoi Bashkësia Demokratike Boshnjake , e cila në një letër të hapur kritikon gjyqësorin në vend , i cili, sipas tyre, po legalizon krimin dhe po mbështetë politikën gjenocide.
Ndërkaq, partitë politike shqiptare si dhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi nuk reaguan ndaj këtij rasti, edhe pse shoqatat e shoqërisë civile disa herë kanë protestuar ndaj zvarritjes së aktgjykimit dhe ndaj pavarësisë së gjyqësorit.
Komandanti Predrag Strugar dhe shtatë oficerë të tjerë të ish-Ushtrisë Jugosllave janë paditur për vrasjen e 15 civilëve shqiptarë nga Kosova dhe për plagosjen e pesë të tjerëve në prill dhe maj të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-së në zonën e Husajt afër kufirit të Malit të Zi me Kosovën.
Gjyqi për rastin e refugjatëve kosovarë ka filluar në vitin 2009 dhe është gjyqi i vetëm për krime lufte në Mal të Zi ku aktgjykimi për lirimin e të akuzuarve u dha këto ditë.