Lajme Shqip Saturday, 27 July 2013 11:42

Tiranë – Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj ka përkrahur dje, idenë e hedhur dy ditë më parë nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama për pavarësinë e INSTAT-it nga qeveria. Në një koment të publikuar dje në “Facebook”, Malaj shkruan se: “Debati publik i politikës mbi INSTAT-in duhet të ndihmojë të rritet pavarësia reale e tij në funksion të rritjes së cilësisë së statistikave, si një element shumë i rëndësishëm i rritjes së cilësisë së qeverisjes”. Sipas Malajt, “prioritet është edhe eliminimi i manipulimit të tyre, pasi siç tregoi edhe rasti i Greqisë, fshehja e krizës dhe përmasave të saj u bë edhe nëpërmjet manipulimit të statistikave të financave publike”.

Malaj tha se: “Debatet aktuale mund të mbajnë më mirë parasysh statusin aktual të INSTAT-it, programet aktuale të asistencës teknike, problematikën e identifikuar rreth cilësisë së statistikave për të qartësuar përmirësimet e nevojshme: a) ligjore, b)institucionale dhe c) të burimeve njerëzore të këtij institucioni të rëndësishëm”. “INSTAT është nga institucionet e para shqiptare të përfshira në projekte të asistencës teknike nëpërmjet programeve të BE-së, programe bilaterale dhe të FMN-së për statistikat makroekonomike”, shkroi dje, Malaj. Opozita, – tha ai duke iu referuar PSsë, – ka paraqitur përpara zgjedhjeve opsione alternative për kornizën institucionale të INSTAT-it, a do të vazhdonte të ishte nën varësinë e kryeministrit, nën varësinë e Këshillit të Ministrave, apo do të ishte nën varësinë e parlamentit. “Ndërvarësia institucionale do të ndikonte edhe në procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të strukturave drejtuese të INSTAT, ku përfshihet Këshilli i Statistikave dhe Drejtori i Përgjithshëm”, vlerësoi Malaj.

Ai shtoi se: “Diskutimi do të vazhdonte nëse Drejtori i Përgjithshëm do të emërohet nga Kryeministri me propozim të Këshillit të Statistikave apo do të kishte një opsion tjetër që synonte një pavarësi më të madhe nga ekzekutivi. Ndoshta do të rishikohen kriteret përzgjedhëse të Këshillit të Statistikave, duke lënë më shumë hapësira për studiues nga qarqet akademike”. Ai vlerëson se: “Harmonizimi i asistencës së huaj nën një strategji disavjeçare është një punë jo e lehtë, por e domosdoshme. Deri tani nëpërmjet projekteve të ndryshme të BE-së dhe bilaterale janë angazhuar pranë INSTAT-it me asistencë teknike për të rritur cilësinë e përllogaritjes dhe publikimeve të statistikave zyrtare, si zyra e Statistikave e Britanisë së Madhe, e Çekisë, Hungarisë, Suedisë, Finlandës etj. Lidhur me cilësinë e statistikave makroekonomike dhe të financave publike, INSTAT asistohet edhe nga FMN”. Malaj nënvizon se: “Një ekspertizë e specializuar që analizon gjendjen dhe problemet reale dhe që propozon opsione alternative do të ishte e domosdoshme”.

Ai tha se: “Raportet e vlerësimit të projekteve aktuale në përfundim apo gjatë vazhdimit të tyre mund të jenë një pikënisje shumë e mirë për të qartësuar prioritetet, ku duhet synuar përmirësimi i statistikave zyrtare, çka përbën edhe objektin e ligjit bazë”.