Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 12:59

Tiranë – Pas publikimit të raportit të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet vendore të 8 Majit, deputeti i PS-së, Arben Malaj shpreh mendimin në një nga mediat e përditshme mbi ndryshimet kushtetuese që po kërkohen së fundi nga opozita.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese që u bënë në vitin 2008 dhe efektet që dhanë në dy procese zgjedhore, deputeti Malaj, që nuk i votoi në Parlament aso kohe, pohon se “krizat janë produkt i mentalitetit të dëmshëm njerëzor dhe politik” dhe kritikon mentalitetin e “drejtimit me dorë të fortë”.

Më tej ai argumenton se “çdo reformë kushtetuese duhet të rrisë liritë tona politike, ekonomike, demokratike të kufizojë pushtetet absolute, të vendosë një balancë dhe kontroll më të mirë mes tre pushteteve dhe duhet të kthejë besimin tek institucionet kushtetuese”.

Sipas Malaj, “për të ardhmen tonë europiane, na duhet më shumë dhe jo më pak, demokraci në partitë tona politike dhe në qeverisjen e vndit”.
Sipas tij, Partia Socialiste duhet të sqarojë objektivat e saj si dhe taktikat politike lidhur me sfidat e vendit dhe për arritjen e fitores në zgjedhjet parlamentare të 2013-tës, tani, pas daljes së raportit të OSBE/ODHIR-it.

“Partitë politike pa vonesë duhet të nisin diskutimin rreth rekomnadimeve që jep ky raport. Nuk duhet të përsëritet gabimi për mosrespektimin e rekomandimeve për problematikën e zgjedhjeve të 2009-tës. Zbatimi i rekomandimeve të fundit do të kerkojë ndryshime ligjore, të cilat opozita duhet t’i diskutojë në Parlament”, shprehet Malaj.

Pasi rendit një sërë problematikash, që sipas tij, më kryesoret lidhen me keqpërdorimin partiak të administritatës publike, pavarësinë reale dhe korrupsionin e gjyqësorit, korrupsionit me pronat dhe të drejtën e pronës, Malaj shprehet se “rekomandimet duhet të analizohen në raport me reduktimin e rrënjëve të krizave tona politike”.

Ai ndalet dhe në problemin e radikalizimit dhe daljen si parti jashtë institucioneve, që ka përfshirë së fundi mendime të ndryshme brenda PS për të bërë opozitë.

“Askush në lidershipin politik të PS nuk mund për asnjë arsye të marrë flamurin se po mban nën kontroll radikalizimin e anëtarësisë në PS. Partia Socialiste që nga krijimi i saj nuk e ka pasur në asnjë program të sajin politik, as qeverisës, as në strukturat e saj organizative asnjë element ideologjik radikal, apo strategji fituese mbështetur në veprime radikale. Kohët e fundit janë shfaqur disa mentalitete dhe veprime radikalizuese, që kanë dëmtuar efikasitetin politik të PS”, shprehet Malaj.