Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 12:15

Tiranë – “Duhet të futemi në parlament për të frenuar Berishën”, është shprehur deputeti socialist, Arben Malaj, në një takim me simpatizantë të PS-së në qytetin e Kuçovës.

Duke treguar  idetë e tij  Malaj, i njohur për qëndrimet e tij kundërshtuese ndaj kreut socialist, Edi Rama, u shpreh se në zgjedhjet lokale PS humbi në Kuçovë dy komuna, ashtu siç humbi dhe në rrethe të tjera të vendit, megjithë mbështetjen që gëzon si forcë politike.

Nga Kuçova deputeti socialist është shprehur kundër vendimeve për bojkotimin e Kuvendit. Në lidhje me kundërshtitë e disa prej deputetëve mbi bojkotin parlamentar Malaj u shpreh se “ne kemi një debat, nuk e fshehim dot; jemi disa kolegë deputetë që mendojmë se ne duhet të jemi në parlament. Ky nuk është gjunjëzim ndaj Berishës, kjo nuk është se ne po vemi kokëulur, pasi na ka vjedhur votat Berisha”, tha Malaj.

Sipas tij, Berisha nuk e ka fitoren morale as për zgjedhjet e 2009-s dhe as për zgjedhjet e 2011. “Berisha vazhdon të qeverisë qeverinë qendrore dhe tani mori dhe kryeqytetin, kështu që ne duhet ta mundim, por që ta mundim duhet të jemi së pari në parlament”, tha Malaj.

Mendoni ju, vijon ai, “që ne të rrimë jashtë parlamentit dhe të themi që në vitin 2013 ne do ta qeverisim Shqipërinë. Ne nuk do t’i japim alibinë Sali Berishës pas 6 vjetësh në pushtet, që meqë ne jemi jashtë institucionit këtë të drejtë ke dhe ti kur të qeverisim ne”, përfundoi Malaj.