Lajme Shqip Sunday, 07 July 2013 19:44

Tiranë – Ish- ministri i Financave në qeverinë e socialistëve, Arben Malaj, del kundër kryetarit të PS, Edi Rama, njëkohësisht kryeministër i ardhshëm në lidhje me qëndrimin e tij sa i përket kontrollit të financave në vend.
Rama tha se do ketë një auditim ndërkombëtar të financave, por Malaj thotë se vendi ka institucionet shqiptare.
“Auditimi i financave publike i takon Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe jo të huajve,” tha Malaj.
Një ditë më parë gjatë Asamblesë Kombëtare, kryetari i PS, Edi Rama tha se duhet të ketë një auditim ndërkombëtar të financave.
“Na duhet të auditojmë sistemin shtetëror shqiptar, për të pasur një pasqyrë të Shqipërisë reale dhe për të mos vazhduar betejën politike me dy pasqyra; Një pasqyrë e Shqipërisë reale, sipas nesh dhe një pasqyrë imagjinare sipas opozitës. Por, duke kërkuar një pikë të përbashkët referimi me një auditim ndërkombëtar të të gjithë sistemit të funksionimit të shtetit shqiptar, duke e filluar nga auditimi i financave të Shqipërisë dhe i të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti. Është një proces i domosdoshëm, është një proces që mund të nxjerrë të dhëna drithëruese jo vetëm për ne, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar, si komunitet politik dhe si komunitet sipërmarrës. Është një proces i domosdoshëm për të hedhur bazat e një qeverisjeje përmes të vërtetës dhe për t’u ndarë nga një qeverisje përmes gënjeshtrës,” tha Rama.